Kryesore Tension para parlamentit: Protestuesit çajnë kordonin, plagoset një polic

Tension para parlamentit: Protestuesit çajnë kordonin, plagoset një polic

Pas dy orëve protestë paqësore para Kryeministrisë që ndryshe nga radhët e tjera u mbajt vetëm me tre marshime rreth e qark godinës, me momente të vogla incidentesh, lideri demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e tërhoqën turmën në një marshim drejt Parlamentit.

Basha dhe Kryemadhi qëndruan përreth 15 minuta në qetësi para parlamentit, kur në mesin e kësaj qetësie shpërtheu krejt papritur dhuna. Protestuesit u sulën ndaj kordonit të vogël të policisë që ndodhej në hyrje të parlamentit, duke e çarë atë.

U desh hedhja e gazit lotsjellës që turma të shpërndahen menjëherë. Gjatë përplasjes një efektiv i forcave Shqiponja mbeti i plagosur.

Menjëherë, autobote me ujë, forca të tjera të Ndërhyrjes së Shpejtë mbërritën me autoblind në Parlament për të përforcuar sigurinë rreth Parlamentit.