Kryesore Tensionet në Mesdheun Lindor, Brukseli rreshtohet në krah të Greqisë

Tensionet në Mesdheun Lindor, Brukseli rreshtohet në krah të Greqisë

Teksa Athina dhe Ankaraja po përpiqen të dialogojnë pas tërheqjes së anijes turke Oruç Reis nga Mesdheu Lindor, Bashkimi Europian demonstroi renditjen në krah të Greqisë.

Këtë e tregoi edhe vizita e kësaj të marte në Athinë e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Në takimin me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, funksionari i lartë europian tha se BE duhet të tregojë se u qëndron fortë vlerave dhe parimeve demokratike edhe në këtë konflikt.

Ndërsa Mitsotakis e konsideroi shpresëdhënëse tërheqjen nga misioni të anijes turke, teksa kujtoi se Ankaraja duhet të vazhdojë të shfaqë vullnetin për të ulur tensionet, për t’i hapur rrugë një dialogu real.

Në një koment për gazetën greke Kathimerini, kryediplomati i këtij vendi Nikos Dendias thotë se Turqia duhet ta lexojë drejtë ligjin ndërkombëtar për ndarjen e ujërave detare, jo sipas perceptimit individual apo mbi bazën e fuqisë që kanë vende të ndryshme.

Po për Kathimerinin foli edhe homologu i tij turk Mevlut Çavushollu, i cili thotë se kushtet sjellin kundërkushte, të cilat e pamundësojnë dialogun. Në këtë mënyrë, ai i bëri thirrje Athinës të tërhiqet nga kushtet dhe t’i hapë rrugë një dialogu të gjerë.

“Hyrja e Turqisë në detet e hapura dhe zonat e saj detare nuk mund të ndërpritet duke pretenduar 40,000 kilometra katrorë të shelfit kontinental për një ishull të vogël si Meis ose Kastelorizo i cili është vetëm 2 kilometra larg Turqisë dhe 580 kilometra nga territori grek. Asnjë ligj ose kuptim i ligjit nuk do të lejonte një argument të kundërt”, shkruan ai.

Kreu i diplomacisë turke sulmoi Francën, duke vërejtur se “kohët e fundit qeveri si ajo në Francë po tregojnë një mall të pamatur për të kaluarën e tyre koloniale”.

“Modeli i pranimit të sjelljes së zotërve metropolitanë që imponojnë vullnetin e tyre në rajon ka mbaruar”, shton Tsavousoglou.

“Ajo që ne bëjmë sot do të përcaktojë jo vetëm të tashmen, por edhe nesër dhe ju e dini shumë mirë se Turqia mund të ndjekë Greqinë në çdo rrugë që ajo zgjedh. Zgjedhja nuk i përket në të vërtetë Turqisë ose Francës, ose kujtdo tjetër mbi këtë çështje, por udhëheqësve të respektuar dhe popullit të Greqisë”, përfundoi Ministri i Jashtëm turk.