Kosova Tensionet në Veri, Albin Kurti tregon përgjegjësit e trazirave

Tensionet në Veri, Albin Kurti tregon përgjegjësit e trazirave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës një ditë para lëshimit të dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Përmes një video mesazhi Kurti shprehet se ajo që po ndodh në veri me bllokime rrugësh e të shtëna armësh u planifikuan në Beograd e Rashkë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Drejtori serb i Zyrës për Kosovën Petar Petkoviç, të cilët siç thotë, janë përgjegjësit kryesorë për trazirat.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në veri pas vendimit për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se vendimi për vendosjen e reciprocitetit është i drejtë dhe i ligjshëm.

“Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se i mbështet institucionet e vendit për zbatimin e këtij vendimi.

“Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm.  Bëjmë thirrje që qytetarët serbë në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin”, ka përfunduar Haradinaj.

Sot janë mbyllur pikat e kalimit kufitar në Bërnjak dhe Jarinjë për shkak të bllokimit të rrugëve nga serbët e veriut të Kosovës. Mediat e Kosovës raportojnë se në anën serbe të kufirit janë qindra automjete me targa të shteteve evropiane në pritje.

Shkak u bë vendimi i qeverisë së Kosovës që ka njoftuar se nga 1 gushti do të hyjë në fuqi vendimi për reciprocitet me Serbinë, për çështjen e njohjes së dokumenteve.

Prej të hënës, shtetasit serbë që duan të hyjnë në Kosovë që prezantojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga Serbia, do të pajisen me një dokument të përkohshëm “hyrje/dalje”. Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Kjo do të jetë e njëjtë me dokumentin që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur hyjnë në Serbi. Në veri ka nisur bllokimi i rrugëve me kamionë, një orë pasi u dëgjua alarmi i qytetit.

Policia e Kosovës hodhi poshtë informacionet për një plagosje në veri të vendit. Media e Kosovës shkruajnë se Njësia Speciale e Kosovës është duke u bërë gati që të niset drejt veriut të vendit.