Aktualitet Tentuan të eliminonin biznesmenin, pranga katër autorëve

Tentuan të eliminonin biznesmenin, pranga katër autorëve

Mbrëmjen e 15 Tetorit, katër persona iu vunë nga pas një biznesmeni për ta eliminuar. Andon Dhima po futej në banesën e tij në rrugën “Muhamet Gjollesha”, kur dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë.

Mëngjesin e kësaj të mërkure, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e tyre. Ata janë: Grid Leno, 45 vjeç, lindur në Tiranë, i dënuar më par me 6 vite burgim për vjedhje me armë në Gjermani dhe Albin Hoxha, 35 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë, i dënuar më par për plagosje me armë.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur të identifikohen dhe të ndalohen dhe dy bashkëpunëtorët e tyre në këtë ngjarje, Maringlen Matohiti, 30 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë dhe Enea Hoxha, 26 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Policia thotë se ka sekuestruar një armë zjarri dhe municion luftarak, një mjet në pronësi të Albin Hoxhës, që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe veshjet e përdorura nga autorët, një shkop hekuri policie nga ato me hapje, një palë pranga, 6 telefona celular, rroba uniforme policie dhe kamuflazhi e prova të tjera materiale.

Ishte vetë biznesmeni Andon Dhima, i cili denoncoi ngjarjen dhe në profilin e tij në rrjetet sociale publikoi pamjet e atentatit të dështuar.