Sport Tërbohet Ronaldo, nuk i quhet goli i rregullt ndaj Serbisë

Tërbohet Ronaldo, nuk i quhet goli i rregullt ndaj Serbisë

Një gol fantazmë i Cristiano Ronaldos në sekondat e fundit të shtesës në sfidën Serbi–Portugali 2-2 do të diskutohet gjatë në ditët në vijim, aq më tepër që i hoqi dy pikë përfaqësueses luzitane dhe mundësinë për të kryesuar e vetme Grupin A kualifikues. Në “Marakana” të Beogradit, Portugalia kryesoi 0-2 në pjesën e parë me dy gola të futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota.

Kundërpërgjigjja e serbëve në pjesën e dytë ishte mbresëlënëse. Vendësit shkurtuan diferencën me Mitrovic e pak më vonë barazuan me Kostic, por atëherë kur pritej vetëm vërshëllima e trefishtë e kryesorit, Ronaldo merr një top të gjatë nga mesfushë e drejton topin për në portë, por në momentin e fundit ndërhyn një mbrojtës. Në fakt, pamjet e përsëritura tregojnë se topi e kishte kaluar plotësisht vijnë fatale.

Nuk përmbahet me protesta Cristiano Ronaldo, i cili ndëshkohet me karton të verdhë nga holandezi Makkelie, pasi po i kërkonte llogari anësorit.

CR7 u largua i irrituar nga fusha, ku hodhi gjithë zemërim edhe shiritin e kapitenit që mbante në krah.

Po në Gruopin A, Luksemburgu befasoi 0-1 Irlandën në Dublin me gol të Rodrigues.

Në Grupin E, sfida e rivalëve për vendin e parë, Republikë Çeke – Belgjikë u mbyll pa fitues, 1-1. Të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, për vendësit realizoi Provod, ndërsa për belgët barazoi Lukaku.

Rezultat zhgënjyes për Sllovakinë, cila barazoi 2-2 me Maltën në sfidën e vlefshme për Grupin H.