Kryesore Tërheqja nga rritja e çmimit të energjisë, Berisha: Vetëm presioni funksionon me...

Tërheqja nga rritja e çmimit të energjisë, Berisha: Vetëm presioni funksionon me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti dorëzim të kryeministrit Edi Rama vendimin për mosaplikimit të rritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët që kalojnë fashën e 800 kilovatorëve të shpenzuara në muaj.

“Rama u dorëzua. Para jush, i kam dhënë një ultimatum në mënyrë të përsëritur. Po rrite çmimin e energjisë, do presësh atë që meriton. Por, sidoqoftë vendimi i tij për t’u tërhequr, nën presion, çka do të thotë, që vetëm presioni funksionon me këtë njeri. Unë u tregoj disa mesazhe të qytetarëve, që më deklarojnë se po rriti çmimet, tani më lind e drejta t’u them këtyre qytetarëve, se guxoi, por nuk guxoi. U tërhoq, u palos”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

Vendimin e Ramës e komentoi më herët edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas tij, kjo tregon se në Shqipëri “nuk ka institucione të pavarura”. “Ky vendim i marrë, i shpallur dhe i zhbërë në mënyrat më të turpshme, tregon se nuk ekziston shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione të pavarura që mbrojnë interesin e qytetarit dhe që bëjnë detyrën. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, me të dyja vendimet. Është shpallur sot mosekzistenca e ERE-s si institucion i pavarur. Vendimi që mori ERE ishte tërësisht i pabazuar në radhë të parë, pasi u bazua vetëm në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it. Ndërkohë, zhbërja e vendimit duhej të merrej sërish nga ERE. Kjo tregon se në krye të qeverisë kemi një kryeministër provokator ndaj qytetarit dhe taksapaguesit. Në rast se ata nuk reagojnë, në rast se opozita nuk përballet me këto manovra hajdutërie, ai i bën 8-fish dëmet”, tha Meta.