Bota Tërmet shkatërrimtar 7 ballë godet Turqinë: Shemben mbi 20 pallate, viktimat të...

Tërmet shkatërrimtar 7 ballë godet Turqinë: Shemben mbi 20 pallate, viktimat të shumta

Një tërmet i fuqishëm i magnitudës 7 të shkallës Rihter ka tronditur Turqinë dhe Greqinë mesditën e së premtes duke shkaktuar vdekjen e të paktën 17 personave dhe lëndimin e mbi 700 të tjerëve në Izmir të Turqisë.

Lëkundjet e tokës, që mund të kategorizohen tek ato më të fuqishmet që kanë rënë ndonjëherë, shkatërruan të paktën 20 pallate të lartë në qytetin me më shumë se 4 milionë banorë. Banorët e Izmirit dolën rrugëve të tmerruar. Lëkundjet ishin aq të fuqishme sa shkaktuan edhe një cunami të lehtë në zonat bregdetare.

Epiqendra u regjistrua shumë pranë brigjeve veriore të ishullit grek Samos në Egje, në një thellësi 10 km. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë, deri në Ankara e Athinë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shkroi në Twitter se kishte urdhëruar të gjitha kapacitetet e vendit të vihen në dispozicion të qytetarëve të prekur nga tërmeti.

“Jemi me qytetarët tanë të prekur nga tërmeti me të gjitha mundësitë e shtetit tonë. Ndërmorëm aksionin për fillimin e punimeve të nevojshme në rajon me të gjitha institucionet dhe ministrat tanë të lidhur”, shkroi Erdogan.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, ministri i Brendshëm grek dhe ai turk kanë kontaktuar me njëri-tjetrin për t’i gjetur zgjidhje një situate, ku përpos dëmeve të mëdha materiale, mendohet të ketë edhe shumë jetë të humbura.

Media turke raportojnë se tërmeti u ndje në të gjitha rajonet e Egjeut dhe Marmara, ku ndodhet Stambolli. Kryebashkiaku Ekrem İmamoğlu tha se nuk kishte raportime për dëme.

Tërmeti u ndje gjithashtu në të gjithë ishujt lindorë grekë dhe madje edhe në Athinë. Mediat greke bënë me dije se ishulli i Samosit prej rreth 45 mijë banorësh është vënë në gjendje emergjence. Shumë banorë janë shpërngulur nga shtëpitë, ndërsa janë raportuar për rënie gurësh në zonën rurale të ishullit.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shkroi në Twitter se ka mbajtur ndërlidhje me autoritetet lokale dhe u bëri thirrje banorëve të atjeshëm që të bëjnë durim për pasgoditjet ndërsa Athina kishte nisur menjëherë grupet e emergjencës për të përballuar situatën.

Zona e Egjeut njihet për aktivitetin e lartë sizmik ku herë pas here ka tërmete të fuqishme.

Më 21 korrik 2017 një tërmet i magnitudës 6.6 të shkallës Rihter tronditi dy vendet duke shkaktuar dy viktima dhe më shumë se 120 të plagosur kryesisht në ishujt grekë. Epiqendra ishin ishujt juglindor të Greqisë.

Turqia gjithashtu është shumë e prekur nga tërmetet e forta. Një nga më të fortët u regjistrua më 17 gusht 1999, në zonën gjeografike të Marmarasë. Lëkundjet ishin me magnitudë 7.4 i shkallës Rihter dhe shkaktuan 17 mijë viktima.

Ndërkohë që kjo është hera e dytë brenda këtij viti që territori turk goditet nga një tërmet i fuqishëm pas atij të Janarit në Elazig, në lindje të vendit me magnitudë 6.7, që i mori jetën 41 personave e plagosi 1600 të tjerë.