Kryesore Tërmeti/ Prokuroria zbardh pistat e hetimeve për shembjen e pallateve

Tërmeti/ Prokuroria zbardh pistat e hetimeve për shembjen e pallateve

Prokuroria e Durrësit zbardh 5 pistat mbi të cilat po heton për shembjen e 6 ndërtesave në qytetin bregdetar, nga të cilat humbën jetën 23 persona.

Sipas hetuesve, shembja e tyre nuk është vetëm për shkaqe natyrore. Ata kanë dyshime për shkelje të ligjit dhe rregullave të ndërtimit nga ndërtues e zyrtarë shtetërorë.

“Dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat me vdekjen e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, si dhe ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve. Po ashtu ka dyshime se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërore dhe publike të ngarkuar me kontrollin e mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve”.

Prokuroria e Durrësit kërkon të sekuestrojë aktet e pronësisë, legalizimit të objekteve, lejet e ndërtimit dhe procesverbalet e mbikëqyrjes së punimeve, kolaudimit, inspektimet e ndërtimit dhe çdo akt tjetër në lidhje me objektet ndërtimore, si dhe të ushtrimit të aktiviteteve të biznesit apo banimit.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se në çdo objekt janë marrë provat që nevojiten për hetimin. Edhe Prokuroria e Tiranës po heton për të zbardhur shkaqet e dëmeve të tërmetit.

Drejtuesja e Prokurorisë, Elizabeta Imeraj i ka kërkuar Bashkisë nëpërmjet një shkrese që prokuroria të lajmërohet para çdo shembje të ndërtesave ose pallateve.