Bota Terrorizëm në SHBA: FBI heton sulmet e fundit me sfond racist

Terrorizëm në SHBA: FBI heton sulmet e fundit me sfond racist

Byroja Federale e Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara ka nisur një hetim të brendshëm ndaj terrorizmit, lidhur me të shtënat që ndodhën disa ditë më parë në një festival ushqimor në Kaliforni duke lënë të vdekur tre persona.

Zyrtarët thanë se kanë zbuluar “listën e shënjestrave” të sulmuesit, Santino William Legan, në të cilën janë përfshirë ndërtesa fetare dhe federale. Agjenti, John Bennett, ka thënë se Legan, 19-vjeçar, ka qenë duke “hulumtuar ideologji të dhunshme”, por FBI-ja ende nuk i ka konfirmuar motivet e sulmit.

Megjithatë, policia amerikane është duke lidhur drejtpërsëdrejti me ideologji edhe dy të shtëna të tjera me armë zjarri. Sulmi i së shtunës në El Paso të Texas- it la të vdekur 22 persona dhe është aktualisht duke u hetuar si rast i brendshëm terrorizmi.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë duke analizuar një dokument anti-hispanik që është publikuar online, pak para sulmit.

Të martën, FBI-ja tha se edhe sulmuesi i së dielës në Ohio, ku humbën jetën nëntë persona, përkrahte “ideologji të dhunshme”. Megjithatë zyrtarët kanë deklaruar se nuk kanë mundur të provojnë nëse sulmi ka qenë i motivuar mbi baza etnike ose jo.

Të shtënat me armë zjarri në Festivalin e Hudhrës në Gilroy ishin të parat prej 3 sulmeve që kanë ndodhur në tetë ditë në SHBA dhe që kanë lënë pas 34 viktima dhe më shumë se 50 të plagosur.