Bota Tetë të plagosur nga një sulm i dyshuar si terrorist në Suedi

Tetë të plagosur nga një sulm i dyshuar si terrorist në Suedi

Autoritetet suedeze kanë njoftuar se po trajtojnë nën dyshimin “për sulm terrorist” një incident të ndodhur në jug të kryeqytetit Stokholm ku të paktën 8 persona kanë mbetur të plagosur.

Policia tha se ka marrë thirrje pasditen e së mërkurës, rreth orës 15:00, se disa njerëz ishin sulmuar me “sëpatë” në qytetin Vetlanda, 358 kilometra në jug të Stokholmit.

Tetë persona konfirmohet se janë plagosur në incident. Një i dyshuar në të 20-at u qëllua nga policia dhe është arrestuar.

“Personi i arrestuar është i plagosur, por mënyra se si është lënduar mbetet e paqartë,” tha policia në një deklaratë, duke shtuar se i dyshuari u dërgua në spital me ambulancë.

Fillimisht, policia filloi hetimin e incidentit si tentativë vrasjeje, por konfirmoi se tani po e trajton incidentin si një “krim të dyshuar terrorist”.