Teuta ka siguruar matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Durrsakët fituan minimalisht Tiranën, për t’i ngjitur në vendin e gjashtë në renditje me 41 pikë.
Humbje e hidhur për kryeqytetasit, që janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.
Tirana renditet në vendin e nëntë me 36 pikë, ndërsa ndeshjen e fundit e luan ndaj Dinamos.
Bardhebluve u nevojiten kombinime rezultatesh, për të qëndruar në Superligë. Në të njëjtën situatë dhe kuotë pikësh ndodhet edhe Laçi i vendit të fundit. Kurbinasit fituan minimalisht ndaj Dinamos, por fatin e tyre do e mësojnë në javën e fundit.
Skënderbeu nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola ndaj Egnatias kryesuese. Korçarët mbajnë vendin e tetë me 38 pikë, 1 më pak se Bylis i vendit të shtatë, me të cilët përballen në javën e fundit.
Ballshiotët bënë surprizën ndaj Partizanit në shtëpi, duke fituar 1-0.
Të kuqtë e kryeqytetit u mposhtën minimalisht në Ballsh, pas një goli të shënuar nga Përndreca.
Kjo humbje, i kushton Partizanit vendin e katërt, që tashmë mbahet nga Elbasani. Dy ekipet ndodhen në kuotën e 50 pikëve dhe në javën e fundit do të përballen mes tyre, ku do të përcaktohet edhe ekipi që do të marrë pjesë në “Final Four”.
Sa i përket Bylisit, skuadra ballshiote mban vendin e shtatë me 39 pikë, 1 më shumë se Skënderbeu, me të cilët përballet në javën e fundit.
Në sfidën tjetër, Elbasani barazoi 1-1 me Vllazninë në shtëpi. Shkodranët mbajnë vendin e dytë me 56 pikë.