Kryesore Thaçi: Shkëmbimi i territoreve nuk do ndodhë kurrë (dhe një mesazh për...

Thaçi: Shkëmbimi i territoreve nuk do ndodhë kurrë (dhe një mesazh për Berishën)

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se nuk do të këtë shkëmbime territoresh me Serbinë.

Duke folur në samitin e Diasporës të organizuar në Tiranë, Thaçi dha disa detaje mbi thashethemet që po qarkullojnë në këtë moment historik për vendin e dytë të shqiptarëve.

“Nuk do të lejojmë organizimin e një konference ku do të marrë pjesë edhe Rusia. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të qarkullojnë ide për një union ballkanik, pasi ideja për një union të tillë është një hap mbrapa për kombin shqiptar. Unë një gjë premtoj sot: Shkëmbim territoresh nuk do të ketë kurrë, pasi ky është pazar. Kushdo që kërkon shkëmbim territoresh do të duhet të kalojë mbi trupin tim. Nuk kemi për të lejuar cënimin e asnjë milimetri tokë të Kosovës, por njëkohësisht, askush nuk më ndalon mua të interesohem për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të na u bashkuar neve, në territorin e Kosovës”, tha Hashim Thaçi.

Më tej presidenti i Kosovës i dërgoi dhe një mesazh Sali Berishës, për të cilin Thaçi tha se për ndarje të Kosovës, flasin ata  që e kanë ndihmuar Millosheviçin.

“Për ndarje të Kosovës, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Millosheviçit, të cilët i kam dëbuar nga Kosova.

Duhet tash së bashku me SHBA dhe BE, me NATO të lëvizim më shpejt drejt perspektivës së Kosova të ketë në NATO dhe BE, duhet të shkojmë drejt një zgjidhje që garanton njohjen nga 5 vendet e BE.

Duhet të punojmë bashke me SHBA dhe miqtë e tjerë, nën një ombrellë euroatlantike.

E theksoj se nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që asnjë broçkull e politikës elektorale ditore të cenojë raportin e përjetshëm me hisedarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, SHBA-të.

Bashkëngjitjen e atij territori  me Kosovën pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Kosovës”, tha Thaçi.