Bota “The Guardian”: Marrëveshja me Bashkimin Europian është shumë pranë

“The Guardian”: Marrëveshja me Bashkimin Europian është shumë pranë

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar janë një hap larg arritjes së marrëveshjes për Brexit. Sipas britanikes “The Guardian”, teksti i marrëveshjes mund të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Kryeministri Boris Johnson ka pranuar të bëjë lëshime për të zgjidhur ngërçin irlandez, duke njohur disa mënyra të kontrollit doganor mes Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar por duke marrë në shkëmbim sigurinë se Londra dhe Belfast do të dalin nga Bashkimi Europian duke qëndruar nga ana tjetër si një territor i vetëm doganor.

Ekipet negociatore kanë rënë fillimisht dakord për faktin se do të ketë një kufi doganor në detin e Irlandës, gjë që nuk ishte pranuar nga Theresa May, e cila e kishte konsideruar si një marrëveshje që asnjë kryeministër britanik nuk do e pranonte dot.

Një burim diplomatik konfirmoi se Irlanda e Veriut do të jetë “de jure” në territorin doganor të Mbretërisë së Bashkuar por “de facto” në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë Johnson mund ende të pretendojë se ka nxjerrë të gjithë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian.

Gjithsesi, nëse marrëveshja do të arrihet, Johnson do t’i duhet ende të marrë miratimin e parlamentit, ku ndodhet partia demokratike unionist e Irlandës së Veriut, konservatorët pro Brexit dhe grupi europian i kërkimit.