Bota “The last job”/ Njihuni me “gjyshërit e këqij”, grabitën bizhuteri me vlerë...

“The last job”/ Njihuni me “gjyshërit e këqij”, grabitën bizhuteri me vlerë 20 milionë dollarë

Grabitësit (Nga e majta në të djathtë, lart) Terry Perkins, John Collins, Daniel Jones dhe Brian Reader dhe (nga e majta në të djathtë, poshtë) Hugh Doyle, William Lincoln dhe Carl Wood.

Disa pensionistë, me kohë të lirë, zgjedhin të luajnë domino ose me letra. Të tjerë, si në rastin e “Gjyshërve të këqij”, zgjedhin të realizojnë një grabitje spektakolare ku arritën të merrnin bizhuteri me vlerë 20 milionë dollarë.

Plani nisi të detajohej në një pub në Londër në vitin 2012. Asokohe, burrat ishin të moshës 52–73 vjeç. Të gjithë të dënuar më parë për grabitje të armatosur, shkelje të lirisë me kusht dhe veprave të tjera penale. Megjithatë, në këtë pikë të jetës së tyre kishin “kryer punë” me drejtësinë dhe thjesht takoheshin për të kujtuar kohët e vjetra.

Në një prej takimeve, 73-vjeçari Brian Reader, u ankua se kishte probleme me paratë, edhe pse jetonte në një shtëpi me vlerë 1 milionë dollarë dhe ngriti hipotezën nëse grupi mund të realizonte një goditje të fundit. Ia kishte vënë syrin Godinës së Depozitave “Hatton Garden”, në lagjen e dyqaneve të diamanteve në Londër. Aty ndodheshin 1000 kasaforta me bizhuteri, ar dhe para.

Për të realizuar goditjen – siç edhe tregohet në librin e publikuar së fundmi mbi këtë histori, me titull “Puna e fundit: Gjyshërit e këqij dhe grabitja e Hatton Garden” – atyre iu deshën 3 vjet përgatitje. Mësuan se si të fshinin gjurmët e ADN-së nga vendi i ngjarjes, siguruan mjetet për të hyrë brenda kasafortës dhe madje mësuan si të përdornin mjetet duke parë video në YouTube.

Në fundjavën e Pashkës së vitit 2015, Reader dhe bashkëpunëtorët e tij mbërritën në vendin e krimit. Me të ishin specialisti i çaktivizimit të alarmeve Michael Seed, asokohe 54 vjeç; shoferi i arratisjes John Collins, 74; dhe ndihmësit Carl Wood, 58 e Terry Perkins, 66. Por edhe pse gërmuan gjithë natën, nuk arritën të hynin brenda kasafortës. Të shtunën në mëngjes Reader dhe Wood u larguan, pasi kuptuan që ishte e pamundur. Tre të tjerët nuk u dorëzuan dhe më në fund ia dolën, duke marrë më shumë bizhuteri se sa mund të mbanin.

Edhe pse nuk kishin lënë asnjë gjurmë, krimi nuk ishte i përkryer. Gjyshërit kishin harruar se jetonin në epokën e teknologjisë dhe në një qytet si Londra, ku ka miliona kamera nëpër çdo cep, vështirë se mund të shpëtonin.

Gjashtë javë pas grabitjes lanë takim në një shtëpi për të ndarë “plaçkën” dhe shkrirë metalet e çmuara. Por policia kishte ndjekur çdo lëvizje dhe aty erdhi edhe arrestimi.

Të gjashtë – edhe ata që u tërhoqën – përfunduan në pranga dhe u dënuan me rreth shtatë vjet secili. Perkins vdiq në vitin 2015 në qeli pas një ataku në zemër, ndërsa të tjerët janë ende në burgun e sigurisë së ulët në Belmarsh, ku ndodhet edhe Julian Assange.