Bota Theresa May, nën presion, konservatorët i bëjnë thirrje që të mos zgjasë...

Theresa May, nën presion, konservatorët i bëjnë thirrje që të mos zgjasë Brexit

Kryeministres Theresa May, po i bëhet thirrje nga anëtarët e Partisë Konservatore që të drejtojë Britaninë jashtë Bashkimit Europian në muajt e ardhshëm, edhe nëse kjo nënkupton daljen pa marrëveshje.

Deputetët konservatorë i kërkuan kryeministres nëpërmjet një letre, që të heqë alternativën e zgjatjes së madhe të Brexit, pas dështimit të tretë të marrëveshjes së saj në parlament.

E përditshmja “The Sun”, bëri të ditur se letra u nënshkrua nga 170 deputetë konservatorë, përfshirë 10 ministra të kabinetit, gjë që shton presionet ndaj Theresa May, që ka ofruar të japë dorëheqjen nëse marrëveshja e saj kalon në parlament.

Votimi në datën 29 Mars, që ishte afati fillestar i Brexit, e çoi Britaninë në trazira politike. Theresa May ka më pak se 2 javë kohë që të bindë 27 vendet e Bashkimit Europian se ajo mund ta kalojë këtë pengesë.

Përndryshe, May do të detyrohet t’i kërkoi Brukselit një zgjatje të madhe të Brexit apo daljen e Britanisë pa marrëveshje për të zbutur goditjet ekonomike më 12 Prill. Shumë deputetë euroskeptikë në partinë konservatore kanë kërkuar prej kohësh një ndarje të pastër nga Bashkimi Europian.

Nga ana tjetër, parlamenti me 650 vende ka votuar kundër daljes pa marrëveshje. Në nisje të javës, deputetët do të përpiqen të bien dakord për një alternativë të marrëveshjes së Theresa May. Ndër alternativat që kanë fituar mbështetje deri më tani përfshijnë lidhje më të afërta me Bashkimin Europian dhe referendumi i dytë.