Extra Theu rregullat e Covid-19 duke organizuar festë sekrete, Rita Ora kërkon falje...

Theu rregullat e Covid-19 duke organizuar festë sekrete, Rita Ora kërkon falje publike

Rita Ora ka kërkuar falje publike, pas publikimit të fotove nga festa e organizuar në fshehtësi me miqtë më të afërt për 30 vjetorin e lindjes. Artistja shprehet se ky vendim ishte i nxituar me mendimin se Britania e Madhe po dilte nga izolimi dhe se nuk kishte problem nëse organizonte një festë.

Më tej, ajo shton se ky ishte një gabim i pafalshëm dhe serioz. “Edhe pse kjo nuk do e ndreqë gabimin, dua të kërkoj sinqerisht falje”, thekson ajo ndër të tjera Rita.

“Përshëndetje të gjithëve. Unë organizova një festë të vogël, duke mbledhur disa miq për 30 vjetorin tim. Ky ishte një veprim i nxitur me pikëpamjen e gabuar se ne po dilnim nga izolimi dhe se kjo ishte OK… Më vjen shumë keq për thyerjen e rregullave dhe e kuptoj se kjo i vë njerëzit në rrezik. Ky ishte një gabim serioz dhe i pafalshëm. Duke patur parasysh kufizimet, unë e kuptoj se sa të papërgjegjshme ishin këto veprime dhe marr përgjegjësinë e plotë.

Ndihem veçanërisht në siklet duke ditur se sa shumë kanë punuar njerëzit për të luftuar këtë sëmundje të tmerrshme dhe duke qenë plotësisht e vetëdijshme për sakrificat që njerëzit dhe bizneset kanë bërë për të ndihmuar që të jemi të sigurt. Edhe pse kjo nuk do e ndreqë gabimin, dua të kërkoj sinqerisht falje”, shkruan Rita.