Aktualitet Theu rregullat e distancimit social, gjobitet dhe i hiqet patenta Lulzim Bashës

Theu rregullat e distancimit social, gjobitet dhe i hiqet patenta Lulzim Bashës

Policia e Durrësit njofton se ka gjobitur dhe hequr patentën kreut të PD, Lulzim Basha dhe disa mbështetësve të Partisë Demokratike të cilët kanë shkelur rregullat e vendosura për distancimin social.

Kreu i Partisë Demokratike, Basha postoi mëngjesin e së enjtes një takim me disa biznesmenë në zonën e Durrësit në ambientet e një lokali të mbyllur, gjë që është totalisht e ndaluar sipas rregullave të vendosura kundër pandemisë.

Gjithashtu policia ka nisur procedim administrativ dhe për pronarin e lokalit ku u zhvillua aktiviteti.

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Policia e Durrësit ka konstatuar me shqetësim një aktivitet partiak të zhvilluar në mjedisin e mbyllur të një lokali, në kundërshtim me Aktin Normativ, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”. Ky aktivitet, që është publikuar gjerësisht sot edhe në media, ka imponuar procedimin administrativ, bazuar mbi Aktin Normativ.

Bazuar mbi Aktin Normativ, është marrë masë administrative 1 milionë lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A.H.

Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet, L.B, F. Xh., A. M., R. G., A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J.M. dhe A.H.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe të distancimit social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojnë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit do të vijojë me angazhim të plotë e vullnet të palëkundur veprimtarinë e vet ligjzbatuese, në mbrojtje të jetës dhe rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore.