Sport Thiago Motta rrëfen episodin: Si ua fitonte zemrën futbollistëve Carlo Ancelotti

Thiago Motta rrëfen episodin: Si ua fitonte zemrën futbollistëve Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti është një trajner që autoritetin ndaj futbollistëve nuk e ka fituar me imponim, por me sjelljen e tij, shpeshherë prej “babaxhani”. Ish-futbollisti i PSG, Thiago Motta, ka treguar një episod të kohës kur ai kishte si trajner te parizienët pikërisht Carletton, i cili jo vetëm që nuk ishte arrogant, por i lejonte lojtarët e tij të dëfreheshin.

“Kur isha pjesë e PSG-së, një ditë shkuam pas stërvitjes në një restorant elegant me 11 shokë skuadre, pranë Harkut të Triumfit. Në një moment, është Lavezzi na thotë: “Do të telefonoj trajnerin Ancelotti që të bashkohet ne”. Na kapi paniku dhe i thamë Lavezzit: “Jo Pocho, nuk duhet të thërrasim trajnerin, je i çmendur, do t’i shkaktosh telashe”.

Por Lavezzi e telefonoi Ancelottin, gjithsesi, dhe gjëja e parë që i tha Carlos ishte: “Ku je?” Pastaj u përpoq ta bindte që të bashkohej me ne. Kur e mbylli telefonin, menduam se nuk do të vinte, por pas pesëmbëdhjetë minutash ai është aty. Pastaj nisi të pinte me ne dhe të na tregonte disa histori të mrekullueshme nga Milani. Pas disa momentesh, ai u ngrit dhe na tha: “Tani është koha. Duhet të shkoj në shtëpi. Ju bëni çfarë të doni këtu, por të dielën pres të zhvilloni një lojë të mrekullueshme.”

Ai u largua dhe ne thamë me vete: “Si të mos luajmë për të, sa duhet të fitojmë të dielën? Të paktën 5-0?” Të dielën fituam dhe bëmë një ndeshje të mrekullueshme.”