Bota “Thikë pas shpine”, mediat serbe kundër deklaratës së Putinit për Kosovën

“Thikë pas shpine”, mediat serbe kundër deklaratës së Putinit për Kosovën

“Thikë pas shpine”, “kështu qenkan vëllezërit rusë?”, “Putin njeh Kosovën”.

Këto janë disa nga titujt në faqet e para të gazetave ditore të Serbisë që u botuan mëngjesin e së enjtes.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka krahasuar referendumin për bashkimin e Krimesë dhe Sevastopolit me Rusinë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Dallimi i vetëm është se një vendim i tillë mbi sovranitetin e Kosovës u mor nga Parlamenti, ndërsa në Krime dhe Sevastopol vendimi u mor me referendum popullor”, deklaroi Putin gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së në Moskë.

Kjo deklaratë duket se i ka revoltuar mediat serbe.

Gazeta ‘Blic’ vë në pikëpyetje besnikërinë e serbëve ndaj Putinit: “A i jemi betuar ne si komb shumë presidentit rus: Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës”.

Gazeta “Srpski Telegraf” në ballinën e së enjtes shkruan: “Kështu janë vëllezërit rusë? Putini e goditi Serbinë pas shpine: Ai e shkëmbeu Kosovën me Donbas”.

Edhe “Kurir” ka goditur Putinin në ballinë: “Putini mbron interesat e tij në Donetsk dhe Luhansk, pa marrë parasysh pozicionin e Serbisë me Kosovën”.  Në vazhdim të titullit theksohet mesazhi “shteti ynë duhet të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e veta”.

“Alo”, në ballinë thotë “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”.

Gazeta “Objektiv” titullin e ballinës e ka të shkruar: “Thikë pas shpine: Putin e njeh Kosovën”.

Sipas mediave serbe, Vuçiç pritet ta adresojë deklaratën e presidentit rus për njohjen e rajoneve të Ukrainës.