Extra Tiparet e përbashkëta të filozofëve të lashtë me njerëzit më të suksesshëm...

Tiparet e përbashkëta të filozofëve të lashtë me njerëzit më të suksesshëm në botë

Edhe pse sot nuk është kaq thelbësore në jetën tonë të përditshme, filozofia ka luajtur rol në mbështetjen e shumë prej zhvillimeve të mëdha në botë. Për këtë arsye, nuk është një surprizë që filozofët e lashtë dhe disa liderë të suksesshëm modernë kanë tipare të përbashkëta.

Nga vënia në diskutim e supozimeve për të krijuar lëvizje dhe për të krijuar ndryshimin dhe për të kërkuar dije, filozofët e lashtë ishin udhëheqës. Disa prej tyre madje ishin pionierë në çështjet kryesore të udhëheqjes, si Platoni dhe vepra e tij mbi udhëheqësit virtuozë. Shumë njerëz të suksesshëm frymëzohen drejtpërdrejt nga intuita e filozofëve të lashtë.

Për shembull, Elon Musk çmendet pas parimeve të para, një term i përdorur nga Aristoteli mijëra vite më parë, për të përshkruar një qasje tek arsyetimi që çon në zbërthimin e një problemi në elementet më të thjeshta dhe thelbësore, për ta kuptuar më mirë dhe për ta zgjidhur. Steve Jobs pati thënë dikur se do të kish shkëmbyer gjithë teknologjinë e tij për të kaluar një ditë me Sokratin.

Ka madje një numër të madh drejtuesish të famshëm që janë diplomuar në filozofi dhe sot drejtojnë kompani të mëdha. Pavarësisht nëse ata mishërojnë me vetëdije atributet e filozofëve të lashtë ose jo, përvoja e tyre i ndihmoi ata të mendojnë dhe të përballen me sfida të rëndësishme me efektivitet.

Nëse doni të frymëzoheni nga mençuria e përjetshme që është ende e rëndësishme – mbase më e rëndësishme se kurrë – për të bërë hapa para në karrierë, më poshtë janë pesë tipare të përbashkëta mes filozofëve të lashtë dhe njerëzve më të suksesshëm në botë.

Ata sfidojnë status quo-në

Filozofët e lashtë ishin mendimtarë të lirë dhe, në shumë aspekte – rebelë – dy atribute që kanë drejtuar inovatorët më të mëdhenj në botë të krijojnë sipërmarrje dhe zgjidhje që kanë ndryshuar mënyrën tonë të të jetuarit.

Sokrati i sfidoi njerëzit të mendojnë vetë dhe i nxiti të rinjtë të sfidonin status quo-në. dhe në fakt, u dënua me vdekje, pasi nuk besoi në perënditë e shtetit, një dëshmi tragjike e integritetit të tij.

“Ata janë të çmendurit, të papërshtatshmit, rebelët, ata që i shohin gjërat në një mënyrë të ndryshme – ata nuk i duan rregullat dhe nuk kanë respekt për status quo-në. Ju mund t’i citoni, mund të mos jeni dakord me ta, t’u thurni lavde, t’i fyeni, por e vetmja gjë që nuk mund të bëni është t’i injoroni, pasi ata ndryshojnë gjërat. Ata e shtyjnë njerëzimin përpara dhe ndërsa disa mund t’i shohin si të çmendur, ne shohim gjeniun, pasi njerëzit që janë aq të çmendur sa të mendojnë se mund të ndryshojnë botën, janë ata që e bëjnë”, ka thënë Steve Jobs. Dhe nuk është çudi pse ai do të kishte dashur të takonte Sokratin.

Ata bëjnë pyetje

Edhe pse Sokrati nuk la asgjë të shkruar nga filozofia e tij, ka lënë një trashëgimi të pasur – metoda e Sokratit – një formë dialogu e mbështetur te të bërit pyetje për të nxitur mendimin kritik, në vend që të ushqejë përgjigjet e studentëve.

Sokrati përdorte kërkimin si një mënyrë për të analizuar vlerat, besimet dhe parimet e të tjerëve dhe për të zbuluar motivet dhe supozimet themelore. Ai pati thënë: “një jetë e paanalizuar nuk është e denjë për t’u jetuar” gjatë procesit për korrupsionin e të rinjve (i njëjti proces e çoi në dënim me vdekje).

Metoda e Sokratit mësohet ende në shkollat e biznesit në të gjithë botën dhe udhëheqësit më të suksesshëm e kuptojnë fuqinë e të bërit të pyetjeve të duhura, si për të marrë pëlqimin e ekipit të tyre apo për të shkuar të rrënjët e një problemi. Ata vlerësojnë po ashtu mendimin kritik dhe arsyetimin, që filozofët e lashtë e ndiqnin pa pushim.

Ata identifikonin problemet dhe kërkonin zgjidhje

Filozofët e lashtë mund të kishin teori të ndryshme, herë-herë kontradiktore, por të gjithë kishin një gjë të përbashkët – mendonin në mënyrë aktive për problemet e përbashkëta apo individuale dhe kërkonin zgjidhje. Sipërmarrësit e suksesshëm dhe drejtuesit e biznesit të Uber janë e njëjta gjë.

Ata mendojnë për problemet, jo për t’u ndalur në to, por për t’i kuptuar e për të gjetur zgjidhje të mundshme.

Shumë histori suksesi, si Spanx e Sara Blakely’s apo Bumble e Whitney Wolfe nisën me identifikimin e një sfide dhe krijimin e një produkti apo shërbimi për ta zgjidhur.

Ata lidhin dijet

Në fillimet e filozofisë së lashtë greke, kufijtë mes shkencës dhe filozofisë ishin të paqartë. Mendimi filozofik shtrihej në disiplina si mjekësia, matematika, astrologjia dhe astronomia.

Filozofia evoluoi duke u bërë më e fokusuar, me mençuri në të pasurit e një perspektive shumëdimensionale. Dhe në tablonë e sotme të ekonomisë, në ndryshim të shpejtë, nuk mund të bëhesh një lider i suksesshëm pa një mendim shumëdimensional.

“Çdo libër më mëson diçka të re dhe më ndihmon t’i shoh gjërat në mënyrë të ndryshme” – ka thënë Bill Gates, një lexues i pangopur. Gjëja interesante? Leximet e tij mbulojnë disa zhanre dhe tema.

Për Gates është e rëndësishme ushqimi i mendjes me njohuri nga burime të ndryshme, në mënyrë që më vonë të lidhë pikat dhe të zhvillojë ide krijuese.

Ata janë komunikues elokuentë

Filozofët e lashtë ishin edhe oratorë të shquar, duke mbledhur turma njerëzish për të dëgjuar rrëfime tërheqëse të mbushura me dije. Studimi zyrtar i të folurit në publik lindi në Greqi dhe Romë, mijëra vite më parë, pasi diskutimi bindës ishte një aftësi e dëshirueshme për të qenë pjesë e shoqërisë.

Aristoteli shkroi Retorikën, një traktat mbi artin e bindjes dhe e përkufizoi retorikën si “aftësia për të zbuluar mjetet e mundshme të bindjes në lidhje me një subjekt çfarëdo.” Tingëllon si diçka që njerëzit më të suksesshëm në botë e bëjnë ende sot e kësaj dite.

Komunikimi efikas është i rëndësishëm kur bëhet fjalë për arritjen e majave të suksesit. Ata mund të kenë stile të ndryshme të të folurit në publik, por njerëzit e suksesshëm janë të qëllimshëm me mesazhin dhe përçimin e tij.

Burimi: The Ladders