Kulturë “Tirana e Nonës”, Fevziu: Stërgjyshja ime lindi në një familje të pasur,...

“Tirana e Nonës”, Fevziu: Stërgjyshja ime lindi në një familje të pasur, por pati fatkeqësi personale

“Tirana e Nonës”, ky libër nuk është një roman, as një libër për kujtimet e fëmijërisë, por më konkretisht është shkruar për tre njerëz të rëndësishëm që shënjuan fëmijërinë e gazetarit Blendi Fevziu. Bëhet fjalë për tre gra, të cilat kanë ndikuar në formimin e tij kur ishte fëmijë.

Ato ishin stërgjyshja e tij Nigjari ose Nona siç ai e quan në libër. E dyta ishte motra e stërgjyshes, Ganimeti ose teta Meti siç i thërriste ai. E treta ishte Sybija ose shkurt Bibia, e cila do të ishte si një nënë më shumë për mamanë e Fevziut.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, gazetari shpjegon përse këto tre gra kanë patur kaq shumë ndikim në jetën e tij.

“Historia nis me stërgjyshen time, ajo ishte një grua shumë e dedikuar ndaj meje. Ishte një grua që të paktën kur e kam njohur unë ishte midis të 70-ve, kur ndërroi jetë ishte 80-vjeçare. Nuk kishte asgjë të veçantë, ishte një grua fare e zakonshme si shumë gra në Shqipëri që e kishte ndërtuar jetën e saj përmes shumë fatkeqësive, ndryshimeve, transformimeve. Ishte një prej atyre rasteve tipike kur jeta nis bukur dhe përfundon mes shumë problemeve, por në fund të jetës së saj, njeriu ndjen një lloj pajtimi”, shprehet Blendi Fevziu.

Gazetari thotë se midis gjyshërve apo stërgjyshëve, krijohet një lidhje e veçantë me nipërit dhe mbesat. E në këtë rast, nipi ishte Blendi Fevziu, që rrëfimet e tre grave i ka ngulitur mirë në mendje.

“Midis gjyshërve, stërgjysheve, stërgjyshit dhe nipit, vendoset një lidhje spektakolare. Fëmijët janë dëgjuesit më të mirë të të moshuarve, janë ata që çdo gjë që dëgjojnë e regjistrojnë në mendjen e tyre. Dhe me kalimin e kohës pastaj, në jetë e kanë një prej atyre mësimeve. Pjesa më e madhe e mësimeve që marrin në fëmijëri janë mësime që vijnë nga të moshuarit, nga gjyshi, gjyshja. Edhe pse duket sikur nuk ndikojnë drejtpërdrejt, në fakt afatgjatë ato kanë lënë gjurmë. Dhe prandaj them që të moshuarit në këtë moshë, befas duan të projektojnë tek fëmija një të ardhme që ju ka munguar, suksesin që ju ka munguar, mundohen të devijojnë dështimet që ata kanë pasur në jetë. Dhe ju duket sikur është momenti për të bërë bilancin. Dhe kur bën bilancin, dhe kjo ka një lloj trishtimi, i vetmi që ndodhet përpara teje është nipi, mbesa. Dhe unë kam qenë nipi. Dhe për fatin tim nuk isha vetëm i stërgjyshes time. Stërgjyshja ime kishte një motër me të cilën ndihej shumë afër, kishin dhe një kushërirë të tretë të largët por që lidheshin me një lidhje krushqie, kështu që ato ishin tre gratë të moshuara të cilat në fund të jetës së tyre pasi kishin thyer gjithçka në jetë dhe pasi kishin pasur shumë eksperienca për mënyrën se si jeta të transformon, filluan të më rrëfenin në një farë mënyre të shkuarën jo vetëm të tyre, por dhe të shoqërisë. Dhe rrëfimet e tyre ishin fantastike, sepse ato ishin personazhe fare të zakonshëm. Kishin qenë shumë afër historisë së Shqipërisë dhe mënyrës se si ishte transformuar Shqipëria dhe Tirana. E njihnin politikën, e njihnin pasurinë, kishin lindur në familje ekstremisht të pasura dhe të fuqishme dhe në fund të jetës së tyre bënin një jetë fare modeste. Krejtësisht modeste dhe pa ndonjë protagonizëm”.

Stërgjyshja e Blendi Fevziut ishte një vajzë që kishte lindur një një familje të pasur të Tiranës, por jeta e saj nuk kishte qenë e lehtë. Prindërit iu divorcuan kur ajo ishte 5 vjeçe, ndërsa e ëma u largua drejt Turqisë.

Ajo u martua në moshë fare të re me një burrë të madh në moshë, dhe kur ishte rreth 25 vjeçe mbeti e ve me dy fëmijë. Gjatë mbretërisë së Zogut, familja e stërgjyshes së Fevziut përfitonte të ardhura nga pronat që kishin, ndërsa në periudhën e komunizmit, shteti ua mori këto prona.

Gazetari tregon se në vitin 2018 arriti të përkthente letrën që stërgjyshja e tij kishte marrë nga mamaja e saj, të cilën ia kishte dërguar nga Turqia. Për shkak se letra ishte shkruar në osmanisht, përkthimi ishte i vështirë.

“Stërgjyshja ime pati fatkeqësi edhe personale. Babai i saj ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të Tiranës dhe një nga njerëzit më të pasur të Tiranës. Por në moshë shumë të re, as 5-vjeçare, ju ndanë i ati me të ëmën. E ëma iku në Turqi dhe i la një letër. Letrën ajo e ruante, ishte në osmanisht. E ruante me shumë dashuri, dhe vetëm në vitin 2018 unë arrita ta përkthej kur po merresha me librin dhe ishte befasuese. Ishte letra e një nëne që humb 4 fëmijët e saj sepse ikte në Turqi dhe linte 4 fëmijë vetëm. Imagjino çfarë dhimbje kishte brenda asaj letre. Letra ishte shokuese kur e lexova. Dhe kam përshtypjen që stërgjyshja ime kishte vetëm leximin e parë në vesh që dikush ja kishte përkthyer nga osmanishtja, sepse ajo nuk dinte osmanisht. Pastaj e martuan me një burrë më të madh se ajo në moshë, goxha më të madh, 14 vjeç më të madh. Por shumë i famshëm, që ishte ministër i Brendshëm në Shqipërinë e kohës. Por ai, për arsye të zhvillimeve politike, u konfliktua me Zogun dhe u detyrua të dilte në pension. Ndërkohë që sapo kishin lindur dy fëmijët e parë të saj, pra 25-26 vjeçe ngeli e ve, sepse burri ndërroi jetë. Kështu që imagjino një grua 25 vjeç të ngelet me dy fëmijë dhe gjithë jetën e saj mundohet të mbijetojë. Deri në vitet e mbretërisë, me gjithë mllefin e madhe që kishin me Zogun, nuk e duronin dot, kishte një lloj mirëqenie që vinte nga pronat. Pastaj erdhi komunizmi i mori të gjitha pronat. Jo vetëm mori pronat, por dhe filloi t’i persekutonte. Edhe pse këto të treja nuk patën një persekutim të drejtpëdrejtë. Nuk patën probleme me komunizmin, thjesht fakti që ju mori çdo mundësi të çdo prone, por ju la shtëpitë. Dhe në fund të jetës së tyre, ju duk sikur edhe komunizmi nuk merrej më me to. Dhe ato ngelën në një botë që filluan të projektonin vetëm vitet e lumtura. Është shumë e çuditshme se si njeriu në pleqëri, nuk kujton asgjë nga gjërat e hidhura”.

“Tirana e Nonës” është libri i 14 i autorit Blendi Fevziu, i cili do të jetë pjesë e Panairit të Librit.