Opinione Tirana, jetë Stambolli

Tirana, jetë Stambolli

Nga Petro Marko

Botuar më 1937

-Hajde Paçe Stambolli!

-Hallvë Stambolli!

-Këpucë Stambolli!

-Rroba,jorgane Stambolli!

-…Stambolli!

Vetëm xhizë Tirone. Xhizë, kajmak…

Stambolli është emër që i jep reklamë plaçkës që shitet. Sadoqë bathët ose bizelet ose mishi i mirë, që mban Sotir Apostoli janë mall i vendit, prapë ai do të thotë:

-Mall Stambolli zotëni!

Dhe sado që stofa japoneze ka sunduar dyqanin e Hysen Ali Mehmetit, të cilin e vizitojnë dita-ditës qindra katundarë ai u bërtet:

-Merrni mall Stambolli! Mall i lirë, i lirë…

Dhe Lame Murthi, kur u servir hallexhinjëve kafet e tij plot kajmak, u thotë:

-Vallahi, pini mall Stambolli.

Mirëpo njerëzit, po jeta? A bien erë Stambolli vendet e dëfrimit ose vatrat e hallexhinjëve? Se kryeqyteti ynë është i ri, siç është edhe mosha jonë e re. Tirana është 17-vjeçare. Tamam si një vajzë 17-vjeçare, e cila fundi i fundit ka ëndërra, shpresa, shqetësime. Dhe siç mund të gjejë njeriu brenda shpirtit të nje vajze aq të re botëra të ndryshme, sidomos mendje të papjekur dhe çregullim në jetë, kështu mund të vërehet edhe këtu.

-Ane ku ka qenë një herë Tirana! Dhe si u bë sot? Dhe në daç të shohësh Tiranën e dikurshme, futu mu në kërthizë të saj, atje ku çdo gjë vazhdon rrugën e dikurshme. As rrugët, as dyqanet, asgjë s’ka ndryshuar. Vazhdojnë pak nga pak evolutën bashkë me jetën e banorëve të tyre.

A e keni vënë re?

Tri rrugë kryesore rrethojnë si mure mongoljane Tiranën e vjetër. Atje brenda qytetërimi s’ka guxuar të depërtojë. Sa larg është, bie fjala, sheshi i ministrive nga tregu i vjetër!

As 100 metra nuk janë larg sheshit, por më tepër se 100 shekuj janë prapa!

Megjithatë, atje gjëmon “Stambolli”.

Salepçinj, hallvaxhinj, qeleshexhinj, jorganxhinj, e ku ta di unë turli-turli farkëtarësh, teneçexhinj, kallajxhinj… atje brenda kanë formuar një jetë më vete dhe s’duan të dinë fare se ç’ngjet përjashta tyre.

Atje, p.sh., Beqiri prej Shkodre, rrobaqepës me nam, vazhdon të qepë ende një xhaketë vetëm për një lek e gjysmë dhe kostumin e tërë për nja dy lekë. Dy lekë vetëm. Dhe në një orë e sipër fshatari që shiti drutë e ka kostumin gati. Ndryshon puna se si u qep. Puna është që jabanxhiu e bëri kostumin. Ai s’vë re nëse njëra mëngë është një pëllëmbë më e shkurtër se tjetra. Dhe kur thotë:

-More usta, pse…

Atëherë Beqiri bërtet:

-Mall Stambolli aga!

Jo vetëm ata kanë punuar në Stambolli dhe që kanë ardhur këtu e ushtrojnë mjeshtëritë e tyre përmendin me mall qytetin e ëndërrave dhe të qejfeve, po edhe ata të tjerët që s’ia kanë parë kurrë madhështinë e tij, kur duan të çfrejnë ose të tregojnë diçka e zënë në gojë, ndonëse pa dashje, Stambollin.

Kam parë shumë njerëz të mirë e për të qenë, të veshur shik, që banojnë në pallate të mira e moderne, që kur venë në “Nacional” e ja shtrojnë me birrë, bëhen tapë, dhe atëherë harrojnë fare se ç’janë, paraqiten ata që janë në të vërtetë, marrin karroca dhe shpejt për në kafe “Vera”, atje ku gjëmon defi si në Stamboll, atje ku dëfren njeriu si në afenget e dikurshme të Konstandinopolit.

Se, fundi i fundit, ku do të vejë njeriu të argëtojë?

Ku do të kalojë ndonjë orë i dehur në mes të qejfeve të ndryshme?

S’ka lokale dëfrimi. S’ka jetë.

Ditë e natë në kafene.

Ja në “Kristal”, ja në “Kursal”, ja në “London”, në “Berlin”, në “Bella Venezia”. Ose tek Loni i shkretë, që i ra në supe duke kënduar gazeta… E pastaj shpejt tek z. Vasil Avrami, jo te deputeti, por te farmacisti i mirë, që të pret gjithnjë me buzëqeshje dhe që të shërben me shpejtësi… një aspirinë, se të zuri koka!

Dhe në të dalë prej tij, nga e djathta, dëgjon një zë:

-Hajde hallvë Stambolli, zotëni!

Aspirinë apo hallvë! Ç’të pëlqen? Ç’të shëron?

E vërteta është se çdo shqiptar që ka punuar në Stamboll, kur është kthyer në atdhe, vetëm këtu në Tiranë ka gjetur vend. Dhe sheh këtu berberët më të mirë, gjellëtorët, rrobaqepësit, kasapët, këpucarët më të mirë, që përpiqen t’i kënaqin myshterinjtë duke u treguar dhe punët e mira fitimprurëse të Stambollit.