Sport Tirana mposht Bylisin dhe shkon në finalen e Kupës së Shqipërisë

Tirana mposht Bylisin dhe shkon në finalen e Kupës së Shqipërisë

Tirana është finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2019-2020. Bardheblutë u mbyllën gojën të gjithë kritikëve për atë humbje 2-1 të dy javëve më parë në Ballsh duke mposhtur 2-0 Bylisin në gjysmëfinalen e kthimit që u zhvillua në Selman Stërmasi.

Skuadra e Emanuel Egbo zgjidhi gjithçka që në 25 minutat e para ndaj Bylisit duke shënuar dy herë me Ernest Muçin dhe Erjon Hoxhallarin dhe duke shuar përfundimisht ëndrrën e skuadrës së Dovedan për të fituar trofeun e parë në historinë e klubit.

Një ndeshje e dominuar nga kryeqytetasit me mallakastriotët që ishin gjithmonë në ndjekje dhe të pafat për të shënuar qoftë edhe një gol pavarësisht përpjekjeve në pjesën ku merita për mbajtjen e rrjetës së paprekur nga ana e bardhebluve kishte edhe portieri Ilion Lika me disa pritje shpëtimtare.

Tashmë Tirana do të jetë në pritje se çfarë do të vendosë komisioni i Etikës lidhur me takimin e parë gjysmëfinal mes këtyre dy skuadrave, ndërsa në finale skuadra e Egbo do të sfidojë një mes Teutës dhe Kukësit.