Sport Tirana pa fat, sfidon kampionët e Zvicrës në transfertë

Tirana pa fat, sfidon kampionët e Zvicrës në transfertë

Short i vështirë për Tiranën në fazën play-off të Europa League. Në Nion të Zvicrës, bardheblutë u vendosën përballë skuadrës zvicerane të Young Boys. Fati i keq për Tiranën që ndeshja do të luhet në fushën e Young Boys. Ndeshja teke do të luhet në datën 1 tetor në Zvicër dhe që do të përcaktojë se cila prej këtyre dy skuadrave do të luajë në fazën e grupeve të Europa League gjatë këtij sezoni.

Një kundërshtar shumë i fortë për bardheblutë e Egbo që duhet të japin 120% të formës së tyre për të tentuar një mrekulli që do t’i kualifikonte në fazën e grupeve. Tirana evitoi në shortin Dinamon e Zagrebit, por nuk kishte fat për të kapur një prej fitueseve të çifteve Floriana-Flora Tallin dhe KUPS-Suduva që bënin pjesë në të njëjtën grup me kampionët e Shqipërisë. Young Boys në këtë sezon dështoi të shkonte në fazën e grupeve të Champions League pasi kampionët e Zvicrës u eliminuan në turin e tretë kualifikues teksa u mposhtën thellë me rezultatin 3-0 nga Midtjylland në Danimarkë.

Short i vështirë edhe për Dritën që nëse arrin të bëjë surprizën ndaj Legias së Varshavës në turin e tretë në fazën play-off do të ketë përballë azerët e Qarabag ndeshje ku fituesja e çiftit Legia-Drita do të jetë skuadër pritëse.