Sport Tirana zhgënjen në Luksemburg, kualifikimi vendoset në “Air Albania”

Tirana zhgënjen në Luksemburg, kualifikimi vendoset në “Air Albania”

Tirana zhgënjen në ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve, pasi u mposht me rezultatin minimal 1-0 në transfertën luksemburgase nga vendasit e Dudelange.

Në përvojën e parë europiane si trajner, Orges Shehi debuton me humbje, teksa bardheblutë “u tradhtuan” nga Vesel Limaj, që mori dy të verdhë për tre minuta dhe u ndëshkuan në minutën e 71-të nga Hassan.

Sfida nisi me ritëm të ulët, teksa rastet në pjesën e parë ishin shumë të pakta, me vendasit që patën më shumë iniciativë, duke gjetur tre herë kuadratin e Visar Bekajt dhe Tiranën.

Edhe pjesa e dytë nisi me një rast të rrezikshëm të vendasve, ndërsa në minutën e 53-të Xhixha pati një mundësi të artë për t’u dhënë avantazhin bardhebluve, por nuk u koordinua saktë dhe gjuajti jashtë.

Në minutën e 54-t Tirana mori një “asist” nga Kirch, që bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Totres dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Dudelange me 10 futbollistë, kur kishte më shumë se 35 minuta lojë ende.

Megjithatë bardheblutë nuk e shfrytëzuan aspak epërsinë numerike, teksa më pas u “tradhtuan” edhe nga Vesel Limaj, që bëri dy faulle për tre minuta dhe mori dy kartonë të verdhë, duke lënë fushën e lojës.

Me forca të barabarta, ishin sërish vendasit që orën iniciativën dhe në minutën e 71-të u shpërblyen, teksa Hassan bëri një gjuajtje me kokë, duke gjetur fillimisht shtyllën e më pas rrjetën e portës së Visar Bekajt.

Pavarësisht humbjes, tashmë Tirana ka shanset e saj për të luajtur në ndeshjen e kthimit në prani të tifozëve të zjarrtë bardheblu për të kaluar në fazën e ardhshme të Champions League.