Politika “Tirja dhe Nustreti i Dubait”, replika Rama-Basha për përmbytjet

“Tirja dhe Nustreti i Dubait”, replika Rama-Basha për përmbytjet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas konferencës për shtyp të Kryeministrit Edi Rama ku foli për menaxhimin e situatës së përmbytjeve.

Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, Basha akuzoi Ramën se po bën propagandë me këtë fatkeqësi.

Teksa theksoi se prej 8 vitesh Rama drejton qeverinë dhe vazhdon të fajësojë të tjerët.

“Gjatë ditëve të kaluara kam qenë në zonat e përmbytura. I kemi parë me sytë tanë dëmet që janë shkaktuar. Edhe sot që flasim mijëra familje janë nën ujë, vuajnë për aksesin për të dalë nga shtëpitë. Janë pa medikamente. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka dhe do të vazhdojmë për t’u qëndruar pranë këtyre njerëzve. Kjo është e vetmja qeveri në botë që fatkeqësinë e shikon si mundësi për propagandë. Dhe njeriu që ka 8 vjet Kryeministër na tregon historikun e reshjeve në 20 vitet e fundit. Në fakt gënjen. Përmbytja ka ardhur nga kaskada. Ky vazhdon t’ju vëjë fajin të tjerëve. Kush ka qenë 8 vite Kryeministër? Tani në vend që të mendojë për hallin e këtyre njerëzve, del pa pikë turpi dhe flet sikur ka ardhur dje në qeveri. Kujt t’i kërkojnë llogari njerëzit? Çfarë po bën për t’i ardhur në ndihmë? 8 vite vetëm propagandë. Edhe fatkeqësinë më të madhe e merr dhe e shndërron në propagandë. Ky njeri është problemi i vendit, ky dështak prodhon vetëm dështime. Të bëhemi të gjithë bashkë dhe ta largojmë”, është shprehur Lulzim Basha.

Kryeministri Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe i është përgjigjur menjëherë kryedemokratit Lulzim Basha.

Në një reagim në Twitter, Rama ka ironizuar këtë deklaratë, duke thënë se nën ujë është opozita dhe kërkon të gjejë shpëtim.

“Qindra mijëra njerëz nën ujë edhe sot” sipas LB! Në fakt nën ujë janë Saliu, Iliri, Luli dhe Mona që duan ta bëjnë komerdare edhe tërmetin, edhe virusin, edhe shiun, edhe borën, madje edhe Nusretin bashkë me Tiren, i duan për komerdare! Po halli është që s’i pret kush matanë”, ka shkruar Rama.

Basha i është kundërpërgjigjur sërish Ramës pas ironive të këtij të fundit.

“Mijëra familje shqiptare po vuajnë nga përmbytjet, ngrica, pandemia dhe kriza ekonomike, ndërsa Tirja i qeverisë e ka mendjen të gajaset në Twitter. Asgjë nuk i mbulon dot dështimet e Tires së qeverisë, as skandalin e darkës luksoze në Dubai, as shumëfishimin e pasurisë së tyre”, shkruan Basha.