Sport “Titulli në tavolinë? Jo, faleminderit”, Agnelli konfirmon dëshirën e tifozëve

“Titulli në tavolinë? Jo, faleminderit”, Agnelli konfirmon dëshirën e tifozëve

Kriza e shkaktuar nga koronavirusi ka çuar te pezullimi i kampionateve të futbollit. Hipotezat për përfundimin e sezonit janë të shumta. Në Itali, një nga mundësitë është ngrirja e renditjes dhe dhënia e titullit skuadrës që është në vendin e parë.

Një mundësi kjo që do ta shihte Juventusin kampione të Italisë.

Opsion që kundërshtohet në masë nga tifozët dhe… Andrea Agnelli. Presidenti e ka shprehur qartë mendimin e tij me një klikim në rrjetet sociale.

“Titulli në tavolinë? Do të ishte diçka e mrekullueshme, por më e mrekullueshme do të ishte nëse ne themi ‘jo, faleminderit’”, shkruan “Laterza Stella”, që i përket një grupimi tifozësh të Juventusit. Agnelli i ka dhënë like këtij komenti të ultrasve, veprim që e ka bërë vetëm 13 herë në tetë vite që është i pranishëm në Twitter dhe si të për të thënë se është dakord me idenë për të mos e pranuar një titull të fituar në këtë mënyrë.