Bota Tjetër braktisje për Johnson, ministrja Amber Rudd jep dorëheqjen

Tjetër braktisje për Johnson, ministrja Amber Rudd jep dorëheqjen

Amber Rudd, ministrja e Punës dhe Pensioneve në Britani të Madhe, ka dhënë dorëheqjen jo vetëm si ministre, por edhe nga drejtimi i Partisë Konservatore, duke theksuar se nuk mund të qëndronte në detyrë ndërsa anëtarët dhe deputetët konservatorë janë përjashtuar nga partia.

Rudd tha se nuk beson më që largimi nga Bashkimi Evropian me marrëveshje është objektivi kryesor i qeverisë.

Lajmin e dorëheqjes ministrja e njoftoi përmes Twitter-it, ku theksoi se për vendimin kishte njoftuar edhe vetë Boris Johnsonin. Rudd, shkarkimin e 21 deputetëve konservatorë e quan si sulm ndaj demokracisë dhe vandalizëm politik.

Në letrën zyrtare të dorëheqjes, Rudd shkruan se iu bashkua kabinetit qeveritar në mirëbesim, duke mos e pranuar opsionin e “Brexit pa ujdi”. Ajo besonte, njësoj si pjesa më e madhe e parlamentit britanik, se mbi tryezë qëndron edhe opsioni i arritjes së një marrëveshje të re brenda 31 tetorit.