Bota Tjetër telefonatë e Trump, i kërkoi ndihmë Australisë për hetimet mbi Rusinë

Tjetër telefonatë e Trump, i kërkoi ndihmë Australisë për hetimet mbi Rusinë

“Është një turp, e gjitha kjo është e turpshme”. Tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve kërkojnë që avokati personal i Presidentit Rudy Giuliani të dorëzojë dokumentat që kanë lidhje me telefonatën kontroverse të Trump me Ukrainën.

Një burim thotë tani se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ishte pjesë e bisedës.

“Po përpiqemi të zbulojmë më shumë mbi informatorin. Ne kemi një spiun që raporton gjëra të pasakta”, tha Trump.

Presidenti kërkon të zbulojë identitetin e informatorit, siguria e të cilit është tashmë në rrezik, sipas avokatëve të tij. Mark Warner, zv/presidenti i Komisionit të Inteligjencës, tha: “Çdo njeri i arsyeshëm do të ishte i shqetësuar për sigurinë e informatorit pas komenteve të Presidentit”.

Dhe në një telefonatë të kohëve të fundit, Trump i kërkoi kryeministrit Australian Scott Morrison të zbulojë prova për diskreditimin e raportit të Robert Mueller mbi lidhjet e Presidentit me Rusinë. Departamenti i Drejtësisë e cilësoi kërkesën si të përshtatshme. Më vonë erdhi konfirmimi i Australisë, e cila tha se ishte gjithnjë e gatshme të bashkëpunonte për të hedhur dritë në çështje që janë në hetim.