Bota Tkurret popullsia greke: Pritet të reduktohet në 8.3 mln banorë deri në...

Tkurret popullsia greke: Pritet të reduktohet në 8.3 mln banorë deri në 2050

Një komision parlamentar i veçantë ka lëshuar alarmin ditën e martë lidhur me zvogëlimin e popullsisë së Greqisë, duke theksuar nevojën për marrjen e masave për të rritur normën e lindjeve.

Referuar një raporti demografik të paraqitur në parlament, popullsia e Greqisë mund të bjerë deri në 8.3 milionë banorë në vitin 2050. Sipas tij, nëse tendencat aktuale të lindshmërisë, vdekjeve dhe emigracionit vazhdojnë, popullsia do të reduktohet ndjeshëm në vitet në vijim.

Ndërkohë, sipas ‘Ekathimerini’, pritet gjithashtu që të rritet në mënyrë të konsiderueshme përqindja e grupmoshës mbi 65 vjeç që aktualisht zënë 28% të totalit, për të mbërritur në 33% në 2050. Nga ana tjetër, raporti parashikon njëkohësisht edhe një rritje të normës së fëmijëve deri në moshën 18 vjeç deri në 19% të totalit në 2050, tregues i cili përllogaritet 14.2% aktualisht.

Gjetjet janë alarmante për popullsinë në moshë pune në grupmoshën 15-64 vjeç. Kjo grupmoshë pritet të reduktohet nga 7 milionë në 2015, në 5.8-6.3 milion në 2035 dhe 4.6-5.5 milion në vitin 2050.