Kryesore Tomini: Edhe ata që e kanë kaluar Covid-19, të ekspozuar ndaj varianteve...

Tomini: Edhe ata që e kanë kaluar Covid-19, të ekspozuar ndaj varianteve të reja

Edhe ata që e kanë kaluar Covid-29 janë të ekspozuar ndaj varianteve të reja. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 CNN zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, duke folur për situatën e pandemisë në vend. Ajo apeloi për respektim rigoroz të masave parandaluese deri sa të arrijmë imunitetin e tufës.

“Nga database ka rezultuar që janë prekur për së dyti herë. Është e vështirë të bësh një ndarje. ISHP përkundrejt personave që kanë shfaqur shenja klinike rishtas, mostrat e dyshimta janë përfshirë brenda pakos së dërguar në laboratorët e referencës. Edhe ata që kane kaluar Covid duhet të kenë kujdes njësoj si ata që nuk janë prekur. Mutacioni i virusit të bën të jesh i ekspozuar sërish, që duhet të respektojnë rigorozisht masat deri sa të arrijmë imunitetin e tufës që jemi larg”.

Zv.ministrja theksoi se  vendosja e fashave orare nuk e zhduk virusin, por masat janë marrë për të minimizuar rrezikun e transmetimit të infeksionit.

“Masat janë marrë duke vlerësuar në dinamikë situatën pandemike, por edhe duke parë tendencën përkundrejt grupmoshave të prekura dhe objektivi është të minimizojmë transmetimin e infeksionit dhe do të kemi orë më pak të ekspozuara dhe grupe risku më pak për të minimizuar transmetimin, vendosja e fashave orare nuk e zhduk virusin, të gjithë masat do të influencojnë në transmetimin”.

E pyetur për fushatën elektorale dhe zbatimin e masave anticovid, Tomini thkesoi se politika duhet të japë e para shembullin e saj, por edhe secili prej nesh duhet të respektojë ligjin.

“Edhe politika duhet të japë një model të dyfishtë, dhe secili nga ne jep modelin individual dhe secili prej nesh jep shembullin e tij. Kushdo të respektojë ligjin dhe ligji të jetë njësoj për të gjithë”.

A po mendohet mbyllje? “Vendimi merret brenda 2 javësh”

E pyetur nëse do të ketë mbyllje, Tomini u përgjigj se brenda dy javësh komiteti i ekspertëve do të dalë më nje vendim të bazuar në tre indikatorët që janë hospitalizmi, fatalitetet dhe raste e reja.

“Janë 3 indikatorë dhe që ne jemi mbështetur, nëse kemi kapacitet për shërbim spitalor, dalëngadalë janë masat që duhet të merren. Duke gjykuar situatën në dinamikë rastet e hospitalizuar, rastet e reja dhe fatalitetet, brenda 14 ditëve do të merret një vendim tjetër dhe do të gjykohet mbi rekomandimet bazë. Spitalet Covid po mbështesin situatën sa i përket shërbimit spitalor. Por deri në ato momente përgjigjja është në nivel të lartë”.

Sa i takon transportit publik, Tomini theksoi se është i nevojshëm, por mund të shmangen orët e pikut, ndërsa apeloi që të mos frekuentohen baret e restorantet ku nuk zbatohen masat.

“Duhet bërë një ndarje, transporti publik është i nevojshëm, frekuentimi i kafes kur kemi një kohë qetësie, ndërsa në kohë pandemie të marrim atë që është e nevojshme dhe të largohemi të mos frekuentojmë ambientet ku nuk respektohet distanca. Shpesh ne bëhemi pjesë e atij rregulli që popullata ta përdorë transportin jo në momentet e pikut. Baret e restorantet mos frekuentohen ku nuk zbatohen masat. Tashmë nuk tolerohet një situatë e tillë. Administratorët përgjegjës do zbatojnë në mënyrë rigoroze ligjin”.

Ndërsa sa i takon shkollave 9-vjeçare dhe mundësisë së mbylljes së tyre, Tomini u shpreh se nuk ka rritje të incidencës pavarësisht rasteve të evidentuara.

“ISHP po monitoron situatën dinamike mbi përhapjen e infeksionit edhe në rajon e zona të caktuara dhe vlerëson shpërndarjen moshore. Nga 0-14 vjeç nuk shikohet ndryshim në incidencë, kemi prekje të moshave pediatrike si raste asimptomatikë, por nuk ka rritje te incidencës pavarësisht rasteve të evidentuara. Kjo tendencë është vënë re në rritje në grupmoshën e gjimnazeve”.