Aktualitet Tomini: Shpresoj të mos i tejkalojmë kapacitetet spitalore, në të kundërt mbyllja...

Tomini: Shpresoj të mos i tejkalojmë kapacitetet spitalore, në të kundërt mbyllja do të jetë e vetmja zgjidhje

Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, në një intervistë për Euronews Albania thotë se, 85% e pacientëve me COVID-19 e kalojnë virusin pa simptoma. Ajo tha se, në rast se një person rezulton pozitiv, është mjeku i familjes që ndjek rastin dhe të familjarëve të tjerë të të infektuarit për të parë nëse kanë shenja gjatë izolimit prej 14 ditë në shtëpi.

Nisur nga shënimi i viktimës më të re të COVID-19, ku një 21-vjeçare e cila ndodhej në terapi intensive, nuk ka mundur ta mposhtë virusin, Tomini tha se koronavirusi nuk njeh moshë ndaj duhet treguar kujdes.

“COVID-19 nuk njeh moshë. Ndryshe nga fillimi i epidemisë tashmë kemi një fashë të re të të prekurve 25-30 vjeç. Ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vlerësojmë në kohë shenjat klinike nga strukturat shëndetësore por edhe nga vetë individët. Të kërkojnë ndihmë në kohë sidomos tek personat që kanë sëmundje të tjera”, tha Tomini.

Shefja e epidemiologjisë në ISHP theksoi se vihet re një ulje të ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve, gjë e cila erdhi pas karantinës. E pyetur nëse rritja e të infektuarve mund të na çojë në një izolim, Tomini tha se shpresonte që të mos tejkalohen kapacitet spitalore pasi në të kundërt mbyllja do të jetë e vetmja zgjidhje.

“Sistemi shëndetësor është përgatitur për rastet me COVID-19 me rreth 500 shtretër në gatishmëri. Shpresojmë që të mos i tejkalojmë këto kapacitete”, tha Tomini.

Në vendin tonë aktualisht janë 1560 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë masat e marra për parandalimin e përhapjes së pandemisë.