Kryesore Topalli prezanton partinë e re: Shqiptarët nuk janë rrogëtarë të Ramës, Bashës...

Topalli prezanton partinë e re: Shqiptarët nuk janë rrogëtarë të Ramës, Bashës dhe Metës

“Lëvizja për ndryshim”, forca e re politike që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit është prezantuar sot. Pjesë e saj është ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo u shpreh e gëzuar me krijimin e një lëvizjeje të re dhe tha se vjen në një moment kur vendi është pa alternativë.

Topalli u shpreh kundër kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratit Lulzim Basha, të cilët sipas saj luftojnë për të mbajtur monopolin politik.

“Këta të tre veprojnë sikur Shqipëria është prona e tyre dhe shqiptarët rrogëtarët e tyre. Ata vendosin se kush duhet të bëjë biznes me ata kush duhet të punojë e kush jo… Praktikisht vendi është pa alternativë. Ata të tre do të bëjnë çdo gjë për të mbajtur monopolin politik. Besojnë se duke thënë gënjeshtra konstante do të zhdukin të vërtetën. Dhe për këtë sulmojnë, kërcënojnë, shpifin, për çdo lëvizje të re”, tha Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit u shpreh besimplotë se me të rinjtë në këtë lëvizje do të ketë një mundësi për të rinjtë në mënyrë që Shqipëria të jetë e shqiptarëve.

Edhe pse gjatë viteve të fundit ka qenë jo shumë aktive në politike, Topalli tha se nuk e ka humbur asnjëherë shpresën. Ajo u shpreh se qeveria e dalë nga 25 Prilli duhet të dalë nga zgjedhjet e ndershme, ndërsa vendi ka nevojë për një opozitë që nuk shitet.

Ajo ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje, ndërsa premtoi se do të bëhet avokate e interesave të tyre.

“Dua të bëhem avokatja e interesave tuaja, ndaj ju ftoj, bëhuni autorë të fatit tuaj mos kini frikë, bëni betejën për jetën tuaj, mos kini frikë, ngrihuni për projektin e ëndrrave tuaj. Jeta është një spektakël i pabesueshëm. Ditën e sotme do ta kujtoni gjatë. Ne do ja dalim, mos kini frikë. Frikë duhet të kenë vetëm ata që vjedhin, ata që mbajnë peng vendin dhe partitë. Frikë duhet të kenë ata që i kanë vënë fëmijëve tuaj rrugët e botës. Nuk mund të kthehemi mbrapa dhe të ndryshojmë fillimin, por të qëndrojmë ku jemi dhe të ndryshojmë finalen. Ky është premtimi im.

Ftoj çdo njërin për këtë betejë, nuk do jetë e lehtë, por është e drejtë t’i dalësh zot vendit. Nuk kam as para dhe as vende pune për të ofruar. Ju ofroj vetëm sfidë, kapeni. Nuk kam asnjë pushtet. Kam përvojën e nevojshme, vullnetin e palëkundur dhe besimin për të kontribuar që ky vend të bëhet. Koha është tani. Ju ftoj, eja me ne. Bashkohu me ne të fillojmë betejën. Të sjellim ndryshimin dhe rrezen e shpresës për këtë vend.

Deri më 25 Prill nuk do të resht së bëri betejën bashkë me të këta vajza të reja, qytetarë, inxhinierë, intelektualë në të gjithë Shqipërinë. Më 25 Prill ne të gjithë do heshtim, atë ditë do të flasin vetëm shqiptarët, atë ditë do të jetë dita e tyre dhe do vendosin nëse do të kemi përsëri një Shqipëri të Metës, të Ramës dhe të Lulit, apo do të kemi një Shqipëri të shqiptarëve”, tha Topalli.