Kryesore Topalli tregon kush e ftoi të rikthehet në politikë dhe pse nuk...

Topalli tregon kush e ftoi të rikthehet në politikë dhe pse nuk kandidoi për drejtimin e PD

Ish-zv. Kryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli thotë se do të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me Lëvizjen për Ndryshim, e ftuar nga një grup të rinjsh me kauzë patriotike. Ish-kryetarja e Kuvendit gjatë një interviste për Ilva Taren në Euronews Albania, tha se angazhimi i saj vjen pas një reflektimi të thellë pas një karriere 30-vjeçare në politikë.

“Pak para se të fillonte emisioni po kontaktoja me një tjetër person që po më thoshte mund të iki. Kjo është shumë e trishtueshme. Vetëm në një vit e gjysmë nga Shqipëria janë larguar 130 mijë shqiptarë. Kjo është dhimbje e madhe dhe bazuar në këtë dhimbje, ata (të rinjtë) mendojnë se mund të ndërgjegjësojnë dhe të ndalin boshatisjen e vendit”, tha znj. Topalli.

“Pas 30 vite është hera e parë që ndjej dhe prek dhe shohësh se vendin jonë, i cili ka qenë një ndër popujt më optimist më me shpresë është kthyer sipas statistikave të fundit nga UN, në shoqërinë që është më pesimiste dhe arrin deri në shkallën 46% ndërkohë mesatarja e popullsisë globale që kanë këtë ndjenjën e pesimizmit është 32%”, shtoi ajo.

Znj. Topalli tha se, para se të ndryshosh të tjerët duhet ndryshuar vetja dhe pikërisht nga këtu e ka nisur duke shtuar se, ka reflektuar për atë që ka ndodhur në Shqipëri vitet e fundit, përfshirë dhe kohën kur PD ishte në pushtet.

“Është një dhimbje e madhe. Kam pjesën time të përgjegjësisë pavarësish se nuk kam qenë kurrë ministre, zv.kryeministrem, nuk kam pas vendimmarrje për ndërtimin e reformave apo menaxhimin e pasurisë të tenderëve apo parave. Detyra e kryetares së Kuvendit është protokollare. Ndihme krenare për NATO, liberalizimin e vizave, natyrisht që ka pasur dhe gjerat që nuk janë bërë mirë”, u shpreh ajo.

“PD do e kishte rrëzuar qeverinë nëse s’do kishte udhëheqje të korruptuar”

Gjatë intervistës për Ilva Taren në Euronews Albania, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj kritikave për nismën e saj politike. Ajo tha se zhvillimet e fundit politike kanë pasur mungesë të arsyes. Topalli këmbënguli se nuk ka asgjë personale me kryetarin aktual të PD-së, Lulzim Basha, por theksoi se nëse udhëheqja e demokratëve nuk do të kishte qenë e korruptuar, qeveria socialiste do të ishte rrëzuar që më përpara.

Topalli tha se nuk e ndërmori më parë nismën e saj të re politike pasi besonte se PD-ja do të reformohej. Ajo këmbënguli se nuk u përfshi në garën për kryetar të PD-së pasi “ishte farsë”.

“Prej shumë kohësh arsyeja se përse unë nuk kam ndërmarrë vendime ndryshe është sepse kam dashur shumë që Partia Demokratike të reformohej”, – u shpreh Topalli.

E vënë përballë kritikave që vijnë nga ish-partia e saj, e cila “i dha pushtet”, Topalli tha se lidhjet vazhdon t’i mbajë me elektoratin e djathtë, por jo me udhëheqjen aktuale.

“Nuk i ngatërroj demokratët me ca struktura apo me udhëheqjen e sotme të asaj që quhet opozitë, dyshoj shumë të jetë Parti Demokratike sepse të jetë e tillë duhet të ketë votën, debatin, tolerancën dhe vizionin perëndimor, kjo është ëndrra e 30 viteve më para dhe që nuk është më. Unë s’e ngatërroj parimin me siglën”, tha ish-kryeparlamentarja.

Pse nuk kandidoi kundër Bashës

Topalli u ndal më tej te gara e shkuar për kryetar të PD-së. Ajo tha se “nuk kishte garë”, sepse “me video janë regjistruar manipulime të votave” dhe për këtë ajo nuk preferonte “të bëhej pjesë në një farsë”.

“Me pamje dhe me zë është regjistruar manipulimi i votave, nuk ia lejoj dot vetes përfshirjen në një garë që përfundon në një farsë”, u shpreh Topalli përballë pyetjes se përse nuk u përfshi në garën për kreun e PD-së dhe ta ndryshonte partinë nga brenda.

“Edhe sot kam një ftesë, duke e lënë si shans apo dritare të hapur, nëse PD-ja do të kishte një udhëheqje të re dhe të pakorruptuar jam e sigurt se ajo do të fitonte zgjedhjet dhe nëse kjo do të kishte ndodhur më përpara qeveria Rama do të ishte rrëzuar, për të tjerat (kritikat) që ndodhin sot janë taktika të vjetra”, tha Topalli.