Kryesore Trafikonin klandestinë drejt SHBA dhe Kanadasë: Si funksiononte skema e grupit shqiptar

Trafikonin klandestinë drejt SHBA dhe Kanadasë: Si funksiononte skema e grupit shqiptar

Policia e Shtetit në koordinim të plotë me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane ka goditur një grup prej 24 personash, të cilët kryenin kontrabandimin e qenieve njerëzore, falsifikonin dokumente të udhëtimit, duke abuzuar me ligjin mbi emigracionin në SHBA. Ky grup sipas Policisë falsifikonte viza dhe dërgonte klandestinë në Amerikë, Angli dhe Kanada.

Detajet e këtij operacioni i bëri të ditur kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Pas arrestimit është dhënë menjëherë masa e sigurisë për këtë grup, i cili kryente veprime në shkelje te ligjeve shqiptare dhe jo vetëm.

“Prej një viti, një strukturë e posaçme speciale e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane, ka zhvilluar dhe kryer një hetim të përbashkët për goditjen e një grupi kriminal lidhur me kontrabandimin e qenieve njerëzore, falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe shkeljen e ligjit mbi emigracionin në SHBA, procedim ky i regjistruar në Prokurorinë  e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në gjithë vendin, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë të lëshuara nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për 24 shtetas, nga të cilët 15 me masë sigurie “Arrest në burg”, 7 me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe 2 me masë shtrëngimi “Detyrim paraqitjeje” në Policinë Gjyqësore, konkretisht”, tha Veliu.

Si funksiononte skema

Hetimi i këtij rasti kriminal është iniciuar para një viti nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë (DSS) në Ambasadën Amerikane, Tiranë.

Hetimet në lidhje me këtë grup kriminal filluan pas evidentimit të një rasti të shitjes së një pasaporte të falsifikuar amerikane në Tiranë dhe me pas u zgjerua dhe u zhvillua në një hetim të madh ndaj një grupi kriminal ndërkombëtar, dedikuar kalimit të paligjshëm të kufijve shtetëror, të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme si karta identiteti, pasaporta, leje drejtimi, karta shëndetësore etj.

Ky grup kriminal, pasi siguronte dokumente të dyshuara të falsifikuara në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme si në Kosovë etj, rekrutonte persona të interesuar, me qëllim udhëtimin e tyre për në SHBA, Kanada, Mbretëri të Bashkuar etj, dhe gjithashtu u siguronte akomodimin në vende të ndryshme të BE-së, biletat e udhëtimit etj.

Anëtarët e këtij grupi kriminal, dokumentet e dyshuara të falsifikuara i dërgonin me autobusë të agjencive turistike, kryesisht në Itali dhe në Gjermani dhe nga aeroportet e këtyre vendeve shtetas të ndryshëm tentonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara, me qëllim destinacionin e tyre final SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar etj.

Nga hetimet e kryera ndaj këtij grupi kriminal, gjatë një viti, janë arritur të dokumentohen disa raste të personave të kapur dhe të arrestuar në vendet si Itali, Gjermani, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar, konkretisht në Romë, Londër, Gjibraltar, Bilbao, Barcelonë dhe Madrid.

Nga hetimet, këtij grupi kriminal i është dokumentuar veprimtaria kriminale në lidhje me kapjet dhe arrestimet e personave që kanë tentuar të udhëtojnë nga Shqipëria për në Kanada dhe Mbretëri të Bashkuar, ku dokumentet e dyshuara të falsifikuara dërgoheshin me autobusët e agjencive turistike.

Emrat e të arrestuarve:

-Bukurije Ahmetaj

-Elvis Ahmetaj

-Shkëlzen Avduli (Byberi, Gjoka, Popenga),

-Elvis alias Fatmir Qema

-Klajdi Llika

-Eduard Haxhiu

-Altin Memaj

-Blerim Coka

-Admir Spahia

-Azem Tanushi

-Xhelil Dautaj

-Mark Gjinaj (Gjini)

-Juxhin Tirana

-Ilir Ferati

-Gëzim Gjona

Arrest shtëpie

-Besjan Mustafa

-Behar Ismailaj

-Arjan Koldashi

-Arselda Memaj

-Besnike Tufa

-Ervilma Bezati

-Gëzim Breza

Detyrim paraqitje

-Drita Sadriaj

-Aida Cenaj.