Aktualitet Digjen tre shtëpi në Berat, humbin jetën babë e bir

Digjen tre shtëpi në Berat, humbin jetën babë e bir

Dy persona, babë e bir, dyshohet se kanë humbur jetën gjatë natës në Berat si pasojë e djegies nga zjarri që përfshiu disa banesa në lagjen “Muzakaj”.

Policia identifikoi vetëm trupin e babait të tij 61-vjeçar, Jovan Vangjelit, i cili u gjet në shtratin e tij në dhomën e gjumit. 61-vjeçari ishte një invalid, çka mendohet se ka bërë të pamundur edhe lëvizjen e tij gjatë momentit të zjarrit.

Mateo Vangjeli, 36 vjeç, dyshohet se është djegur brenda në banesë, ndonëse trupi i tij nuk është mundur ende të gjendet nën rrënoja.

Zjarri ra pak pas mesnate në një prej banesave dhe më pas është përhapur në dy shtëpitë e tjera si dhe në katin e tretë të një pallati përballë. Ndërkohë që shkak për të mendohet se është bërë një rezistencë që përdorej për ngrohje.

Të afërmit dyshuan se përveç dy viktimave në banesë ishte edhe një shok tjetër i Mateos, por i cili fatmirësisht ishte larguar gjatë mbrëmjes së djeshme.

Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse të cilat bën fillimisht izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa mëngjesin e sotëm gjetën edhe trupin e njërit prej viktimave.