Kosova Tragjedi në Kosovë, policja vret 4 anëtarë të familjes dhe veten

Tragjedi në Kosovë, policja vret 4 anëtarë të familjes dhe veten

Një efektive e Policisë së Gjilanit ka vrarë këtë të martë katër anëtarët e familjes së saj dhe më pas edhe veten. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Prokuroria e Gjilanit tha përmes një komunikate për mediat se ngjarja ndodhi rreth orës 13:00.

“Sipas informacioneve të para, dyshohet se në lagjen “Bujanina”, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri u ka marrë jetën dy prindërve dhe dy vëllezërve të saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

“Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipi mjekësor, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë”.