Bota Tragjedia e Tetovës, valë dorëheqjesh në Maqedoninë e Veriut

Tragjedia e Tetovës, valë dorëheqjesh në Maqedoninë e Veriut

Dy ditë pas tragjedisë që ndodhi në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona për shkak të zjarrit që përfshiu ndërtesën, sot kanë ardhur edhe dorëheqjet e para në radhët e autoriteteve shëndetësore në vend. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një dalje për shtyp para pak çastesh para selisë së Qeverisë, ka bërë me dije dorëheqjen e tij.

Dorëheqja e ministrit të Shëndetësisë vjen pas tre dorëheqjeve paraprake pasditen e sotme, atë të dy drejtorëve të spitalit të Tetovës dhe zëvendësministrit të tij, Ilir Hasani.

Edhe ai si të gjithë kolegët e tij të dorëhequr, e justifikon atë me përgjegjësitë morale që ai mban si ministër.

Zv. Ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani, i cili e konsideron këtë si një akt moral, pavarësisht se nuk ka lidhje me procedurat vënies së spitalit modular.

“Në këto momente kaq të rënda për të gjithë ne, jap dorëheqje si akti më i lartë moral. Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënies së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten. Asgjë nuk ka mbi dinjitetin!”, shprehet Hasani.