Bota Tragjedia në Sri Lanka: Të krishterët vajtojnë viktimat, myslimanët po largohen nga...

Tragjedia në Sri Lanka: Të krishterët vajtojnë viktimat, myslimanët po largohen nga frika

Së paku 359 persona pësuan me jetë nga sulmet e koordinuara të së dielës së kaluar në Sri Lankë, dhe besohet se 200 prej tyre ishin në kishën e Shën Sebastianit.

Pasojat tani kanë filluar të marrin më shumë formë. Të mërkurën, qindra muslimanë që jetonin në Sri Lankë u larguan nga qyteti Kolombo. Të frikësuar për të ardhmen e tyre, ata e organizuan ikjen me autobusë, nën përcjelljen e liderëve të komunitetit të tyre.

“Për shkak të shpërthimeve që ndodhën, qytetarët lokal na kanë sulmuar në shtëpitë tona”, thotë Adnan Ali, një mysliman me prejardhje nga Pakistani që jeton në Sri Lanka. “Momentalisht, nuk e dimë ku po shkojmë.”

Organizata militante Isis ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dëshmi për këtë ende nuk janë gjetur.

Janë të shumtë ata që po largohen nga frika e dhunës. Farah Jameel, një myslimane nga Pakistani, tregon se si është larguar me dhunë nga qiradhënësi.

Nëpër qoshe të rrugës dhe nëpër terr, shihen grupe njerëzish të rrethuar me valixhe. Ata thonë se nuk u ka mbetur asgjë tani.

Ndërkohë, edhe forcat policore po kryejnë kontrolle të shumta nëpër shtëpitë e komunitetit mysliman në qytet.

Shumica e popullsisë 22 milionëshe në Sri Lankë janë budistë, por në mesin e popullsisë ka minoritete muslimane dhe të krishtera.

Qyteti Kolombo ka një histori të vjetër të strehimit të refugjatëve, dhe e fundit ishte ajo e akomodimit të të zhvendosurve nga cunami që tronditi vendin në vitin 2004.