Bota Tragjedia në Tetovë, prokuroria jep detaje: 14 të vdekur, asnjë personel mjekësor

Tragjedia në Tetovë, prokuroria jep detaje: 14 të vdekur, asnjë personel mjekësor

Prokuroria ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen tragjike të mbrëmjes së të mërkurës ku spitali Covid i Tetovës u shkrumbua nga zjarri.

Prokuroria ka konfirmuar 14 persona të vdekur, ndërsa thekson se deri tani asnjë personel mjekësor nuk është mes viktimave.

“Prokurorët kanë dhënë urdhra për obduksion dhe identifikim të trupave të 14 të vdekurve në zjarr, kurse po hetohet nëse ka të vdekur të tjerë. Për disa nga të viktimat do të duhet analizë ADN që të vërtetohet identiteti i tyre. Sipas njohurive fillestare, mes të vdekurve nuk ka personel mjekësor. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët kanë marrë në pyetje të punësuarit në spitalin modular me qëllim të vërtetimit të pasojave të zjarrit. Në të njëjtën kohë është dhënë urdhër për sigurim të incizimeve nga video-ekspertiza në dhe rreth objektit. Ekspertiza do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, kurse prokurorët publikë bashkë me ekspertët e MPB-së do t’i sigurojnë dëshmitë për zbardhjen e tërësishme të ngjarjes tragjike”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Kryeministri Zaev e ka konsideruar një tragjedi të madhe ngjarjen në Tetovë. Pasi ngushëlloi familjarët e viktimave, kreu i shtetit kërkoi hetimin e plotë të ngjarjes.

“Një tragjedi e madhe ka ndodhur në qendrën COVID-19 në Tetovë. Një shpërthim shkaktoi një zjarr. Zjarri u shua, por edhe shumë jetë u shuan. Lufta për jetën vazhdon ende, dhe të gjitha shërbimet janë përgjigjur me sakrifica dhe shpëtim njerëzish. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e të ndjerit dhe uroj shërim të shpejtë të plagosurve. Shkaqet e zjarrit do të përcaktohen, për të cilat autoritetet gjyqësore janë tashmë në terren. Kjo është një ngjarje vërtet tragjike dhe mund t’ju ​​siguroj se e gjithë lidershipi shtetëror është i përkushtuar për zgjidhjen e shpejtë të kësaj situate”, shkruan Zaev.

Mesazhe ngushëllimi në drejtim të familjarëve të viktimave dhe autoriteteve maqedonase në këto momente të vështira kanë shkuar dhe nga liderët më të lartë politikë nga Shqipëria dhe Kosova.