Sport Trajneri i Anglisë i trembet Kosovës: Me ta duhet të luajmë më...

Trajneri i Anglisë i trembet Kosovës: Me ta duhet të luajmë më mirë se me Bullgarinë

Kosova mundi mbrëmë Republikën Çeke në kualifikimin e Euro 2020 . Dardanët fituan me rezultatin 2-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke treguar se është një skuadër me karakter dhe dinjitet.

Ndeshjen e radhës e ka në Angli, ku shpreson që të marrë fitoren e radhës. Mediet e huaja raportojnë se me gjithë humbjen e 5 lojtarëve për shkak të dëmtimit, ballkanasit kanë zgjatur rekordin e tyre të pamposhtur me 15 ndeshje, me gola të siguruar nga Vedat Muriqi i Fenerbahces dhe Mergim Vojvoda.

Dayli Mail shkruan se Kosova, e cila shpalli pavarësinë në 2008, pas viteve të konflikteve në ish-Jugosllavi, ka një shans të shkëlqyeshëm për të arritur në Kampionatin Evropian të verës së ardhshme dhe ky rezultat është një paralajmërim për trajnerin Gareth Southgate, në ndeshjen që pritet të zhvillohet mes Anglisë dhe Kosovës, të martën në Southampton.

Gjatë një interviste për mediet, Southgate, ka shprehur vlerësime për Kombëtaren e Kosovës për paraqitjet e deritanishme në kuadër të Grupit A kualifikuese për EURO 2020, duke thënë se ndeshja kundër Kosovës do të jetë kryesorja në grup.

“Ndeshja me Kosovën është kryesorja në grup, sipas meje. Jam shumë i impresionuar me Kosovën. Janë një ekip i organizuar mirë, me lojtarë të mirë. E kanë pasionin e një kombëtareje të krijuar së fundi. Rezultati i tyre  nuk më ka befasuar aspak. I kam parë që luajnë mirë edhe në ndeshjet paraprake. Me ta duhet të luajmë më mirë se ç’luajtëm me Bullgarinë. Do të jetë një test i mirë për ne, të martën”, tha trajneri Gareth Southgate.