Sport Trajneri i Brazilit zbulon sekretin, ja si e neutralizoi Messin

Trajneri i Brazilit zbulon sekretin, ja si e neutralizoi Messin

Lionel Messi është një “alien”, por Brazili ishte në gjendje ta neutralizonte atë në gjysmëfinalen e “Copa America”,  sipas trajnerit Tite. Kapiteni i Argjentinës kritikoi me forcë vendimet e arbitrit, duke i quajtur “maskarallëk”, ndërsa trajneri Lionel Scaloni këmbënguli se skuadra e tij meritoi fitoren. Sidoqoftë, Tite, kombëtarja e të cilit ende nuk ka pësuar gol në këtë turne, ishte i kënaqur me mënyrën se si një mbrojtje e udhëhequr nga Thiago Silva e neutralizoi Messin:  “Kam biseduar me Scaloni, ndoshta pasi ka folur me ju (mediat). Messi është një “alien”, është i jashtëzakonshëm. Ai e meriton një konsideratë të tillë. Përgëzoj ekipin tim, që ia doli të neutralizojë një lojtar të tillë. Me veprimet që bën në fushë, ju nuk mund ta ndaloni atë.

Na u desh të ndryshonim disi strukturën e skuadrës. Kështu, i ngarkuam detyra të veçanta Firmino për të mbyllur mesfushën dhe zvogëluar hapësirën e veprimeve të Messit. Në këtë mënyrë mund të shfrytëzonim shpejtësinë tonë në kundërsulm. Ne shënuam e fituam, edhe pse kishim më pak posedim të topit se zakonisht. Me rëndësi ishte efektiviteti, prej nga rezultuam vendimtarë.

Është një hap tjetër përpara drejt fitimit të trofeut. Jam i lumtur për këtë, por na duhet edhe një hap tjetër drejt suksesit përfundimtar. Të mërkurën do të mësojmë kundërshtarin e finales”.