Sport Trajneri i ri te Reali: Murinjo kryeson listën, por Perez ka një...

Trajneri i ri te Reali: Murinjo kryeson listën, por Perez ka një tjetër të preferuar

Ka nisur “audicioni” për trajnerin e ri të Realit. Zhoze Murinjo qëndron i pari në listë, por ka edhe të tjerë që presin zhvillime.

Murinjo i lirë

Rikthimi i trajnerit portugez në stolin e Realit të Madridit është diçka që mori më shumë besueshmëri në momentin që Zinedin Zidan tha jo. “Special One” është pa skuadër dhe do të ishte gati që të pranonte ofertën që tani për të përgatitur ekipin për sezonin e ardhshëm. Tifozët janë të dyzuar për portugezin, i cili ka shprehur dëshirën për të marrë drejtimin e madrilenëve. “Nuk ka asnjë problem të rikthehem te Reali. Të punosh aty është një eksperiencë unike dhe e veçantë”, ka thënë Mou. Por ai nuk është figurë që mbështetet plotësisht nga lojtarët e skuadrës. Ramos, Marselo dhe Benzema nuk kanë ndonjë raport të shkëlqyer me Murinjon nga aventura e tij e parë.

Zizu “driblon”

Zinedin Zidan ishte opsioni i parë i presidentit Florentino Perez, i cili ka vendosur ta largojë Solarin. Francezi u largua vitin e kaluar pasi fitoi 3 Champions radhazi, sepse kërkoi që Reali ta mbante Ronaldon. Zizu ka thënë “jo” për momentin, por ka lënë të hapur derën për një tjetër projekt në qershor. Por edhe Juventusi e kërkon francezin, i cili ka vënë kusht Eden Hazardin për të pranuar rikthimin në Madrid.

Lëv, një ëndërr

Ishte në “Bernabeu” të shtunën e kaluar për të parë “El Clasicon” e kampionatit dhe Florentino Perez ka përfituar për ta pyetur rreth situatës. Ai ka tentuar ta sjellë në Madrid 3 herë, por Lëv e ka refuzuar gjithmonë për shkak të lidhjes dhe kontratës që ka pasur me federatën gjermane. Tani që këta të fundit po nisin një cikël të ri, edhe stoli i Lëvit është në rrezik.

Të tjerët

Nuk përfundon këtu “audicioni” për trajnerin e ri të Realit. Pëlqehet Alegri, i cili gjithashtu u tentua verën e kaluar. Mauricio Poçetino ishte një tjetër objektiv i madrilenëve, por presidenti i Totenhemit nuk donte të negocionte. Jyrgen Klop mund të jetë i duhuri, po ashtu si Klarens Sedorf. Ky i fundit ka karakter, ka qenë lojtar i madh dhe për më tepër, nuk ka shumë pretendime…