Sport Tramezzani, mesazh Shqipërisë: Zemra ime është aty!

Tramezzani, mesazh Shqipërisë: Zemra ime është aty!

Prej vitit 2016, pak muaj përpara dorëheqjes së Gianni De Biasit, Paolo Tramezzani u largua nga Shqipëria për të nisur një karrierë të re në stol.

Dy aventura në Zvicër te Lugano dhe Sioni për ish-zëvendëstrajnerin kuqezi, i cili tashmë drejton qipriotët e Apoel-it. Aktualisht në krye të kampionatit, skuadra nga Nicosia është drejt konfirmimit si kampione, ndërsa në këtë sezon synon të fitojë edhe kupën e Qipros.

Pak javë më parë, klubi i rinovoi kontratën Tramezzani-t, edhe për një tjetër vit, me trajnerin që edhe pse larg, nuk e harron Shqipërinë.

“Jemi në një fund sezoni shumë të bukur dhe shumë impenjues. Shpresoj edhe unë ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pastaj, ju e dini që zemra ime është në Shqipëri dhe nuk lëviz prej aty”, tha Tramezzani.

Emërimi në stolin kuqezi do të ishte një ëndërr që realizohet për 48-vjeçarin, i cili ishte një prej personave që punuan për të arritur kualifikimin në Europianin e vitit 2016.

Tramezzani ishte përgjegjësi për evidentimin dhe vëzhgimin e lojtarëve të rinj në Kombëtare. Si një grup që në pjesën më të madhe është krijuar prej tij, ai nuk dyshon se Shqipëria ka cilësi dhe mund të përsërisë suksesin historik të Francës.