Listën plot me fytyra të reja të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit, kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’Sy” e ka konsideruar një hapje brutale të partisë që ai drejton.
“Skuadra jonë kombëtare është diçka komplet tjetër, e ndërtuar me shumë kujdes qysh nga viti i shkuar në shtator. Kur kemi vendosur drejtuesit politikë të qarqeve, fillojnë dhe bëjnë të gjithë punën studimore të territorit të potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet, me aktorë dhe faktorë për të evidentuar kandidaturat më të përshtatshme dhe të mundshme. Jo të gjithë ata që janë kontaktuar kanë pranuar të futen në politikë. Ne i kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale, në sensin që nëse kapacitete e brendshme në territor nga pikëpamja e qasjes organizatave janë të tilla që e pengojnë hapjen, ne duhet ta imponojmë në një moment kyç, duke i dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave që përndryshe nuk do të futeshin dot”, tha Rama.
Shefi i qeverisë vlerësoi faktin se puna për zgjedhjen e kandidatëve për deputet ka nisur prej një viti dhe për këtë proces i ka vlejtur PS sipas tij edhe platformë “Deputeti që duam”.
“Kemi rilançuar platformën “Deputeti që duam”. E bëmë të parën provë në 2021, ishte hera e parë, patëm rreth 500 e kusur aplikime. Pastaj të gjithë këtyre që aplikuan iu drejtuam me një proces të dytë seleksionimi, dhe nga ky seleksionim dolën rreth 250 individë që iu dhanë mundësinë të hyjnë në terren dhe të punojnë në terren. Platforma na ka sjellë një risi të madhe”, nënvizoi Rama.