Sport Tre gola për vendin e katërt, Roma “futet” në Champions, për sot

Tre gola për vendin e katërt, Roma “futet” në Champions, për sot

Roma u ngjit në vend të katërt në renditjen e kampionatit italian të futbollit, pasi mundoi 3-0 Cagliari-n në “Olimpico” falë golave të Fazio-s, Pastore-s dhe Kolarov-it.

Pas vetëm tetë minutave lojë, verdhekuqtë e gjetën veten në avantazh të dy golave. Fillimisht ishte Fazio që shënoi me kokë në të 5’ golin e parë, ndërsa në të 8’ argjentinasi Pastore kombinoi bukur me Justin Kluivert për të dyfishuar rezultatin.

Vendasit e drejtuar nga Claudio Ranieri nuk e diskutuan në asnjë moment fitoren dhe katër minuta nga fundi shënuan edhe golin e tretë më anë të Kolarov. Serbi shënoi golin e tetë personal këtë sezon, duke barazuar një rekord të vendosur në sezonin 1998-’99 nga bashkëkombësi i tij, Sinisa Mihajlovic, si mbrojtësi i huaj që shënon më shumë se tetë gola në Serie A.

Fitorja e Roma-s zbret në vend të pestë Milan-in, që të dielën luan një sfidë të vështirë në Torino, të cilën i duhet ta fitojë për t’u rikthyer në vend të katërt.