Aktualitet Tre të dënuar në Shkodër duhet të deklarojnë pasurinë para OFL

Tre të dënuar në Shkodër duhet të deklarojnë pasurinë para OFL

Tre të dënuar për vepra kriminale në Shkodër janë të “shënjestruarit” e radhës nga Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Ndue Pepaj, banues në Malësi të Madhe, i dënuar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale”, “Trafiku ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”;

Endri Alibali, banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”;

Ali Kopliku, banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.