Kosova Tre të vdekur me Covid-19 në 24 orë në Kosovë

Tre të vdekur me Covid-19 në 24 orë në Kosovë

Në 24 orët e fundit, në Kosovë kanë ndërruar jetë tre pacientë të prekur nga coronavirus. Mbrëmë në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë një pacient 57-vjeçar nga komuna e Prizrenit.

Ndërsa sot në orët e mëngjesit ka ndërruar jetë një pacient 78 vjeç po nga komuna e Prizrenit, që përveç infeksionit me Covid-19 kishte edhe sëmundje shoqëruese.

Sot në orën 08:15, ka vdekur një pacient 71 vjeç nga Suhareka, i cili ishte pranuar në Njësinë Intensive në objektin e Mjekësisë me datën 23.06.2020.

Në Klinikën Infektive në QKUK, sot janë shtruar 97 pacientë me Covid-19 pozitiv, si dhe një pacient është në pritje të rezultatit të testimit.

45 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 pacientë: 2 pacientë janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive si dhe 3 pacientë janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respirator.