Politika Tre turnet e Tiranës…

Tre turnet e Tiranës…

– Si e keni gjetur Tiranën në fillimin e mandatit tuaj dhe cilat ishin problematikat kryesore që vutë re?

-Tirana e një viti e gjysmë më parë ishte një qytet jo funksional. Një qytet i pandriçuar, të cilit i mungonin 7 mijë zgara e puseta, ku nuk mblidheshin plehrat, shërbimi i transportit urban kishte degraduar, pa parkime, me çerdhe e kopshte të rrënuara, rrugë pa sinjalistikë e me gropa, pa kënde lojërash për fëmijë e hapësira publike, administrata e bashkisë dhe punëtorët s’vinin në punë, kurse vetë bashkia ishte e zhytur në borxhe, të cilat arrinin deri në 60% te buxhetit. Tiranën e kemi gjetur me 7-8 orë ujë të pijshëm në ditë ndërsa sot e kemi dyfishuar në 13-14 orë/ditë. Rrugët nuk pastroheshin por sot kemi një kompani publike, e cila kujdeset çdo ditë që koshat të zbrazen, rrugët të pastrohen dhe ofron një shërbim për diferencimin e mbetjeve. S’kishte asnjë kënd lojërash për fëmijë, e as ambiente argëtimi kurse sot kemi ndërtuar 10 kënde lojërash, janë liruar me mijëra metra katrorë hapësirë publike e janë krijuar 11 sheshe rekreative e mjedise sportivepër të rinj, të rritur e të moshuar. Përsa i përket transportit publik në Tiranë i cili ishte në gjendje skandaloze,sot kemi shtuar numrin e autobusëve në shërbim, kemi zgjatur disa nga linjat, kemi përmirësuar shërbimin, po punojmë për sistemin e biletimit elektronik etj.

Teksa i them këto, mund të duket se po flasim për një qytet imagjinar sepse në këto 18 muaj jam i lumtur me atë që kemi arritur, edhe pse kemi ende punë për ta çuar atje ku duhet qytetin e Tiranës. Jam i vetëdijshëm se problemet dhe hallet e qytetit tonë nuk zgjidhen as për 1 vit, as për një mandat, por jam krenar që Tirana tashmë është kthyer në punë.

Mund të vazhdoj gjatë me listën e gjërave që kanë ndryshuar në Tiranë, të cilat 18 muaj më parë mund të dukeshin të pamundura.

 

– Sa ka ndryshuar gjatë këtyre dy viteve Tirana dhe cili ka qënë ndryshimi më i madh që ka pësuar nga ana e infrastrukturës dhe urbanistikës?

-Sot s’ka asnjë dyshim që Tirana ka një infrastrukturë më të mirë. Nuk është perfekte, jam i vetëdijshëm për këtë, por shumë punë është bërë e do vazhdojë të bëhet. Tirana ka një hyrje shumë më dinjitoze, projekti 25 vjeçar i Unazës së Vogël ka përfunduar, Bulevardi i Ri po merr formë dhe pritet t’i japë një hov të ri zhvillimit të qytetit, sheshi ‘Skënderbej’ po gjallon dita-ditës dhe duket fantasik, një pjesë e Pazarit të Ri hapet për pak ditë dhe mund t’ju them se do jetë pika më e vizituar nga turistët, qyteti është më i gjelbëruar, kemi nisur projektin e Pyllit Orbital; Tirana gjallon nga aktivitetet kulturore e artistike, është kthyer në një qytet tërheqës për vizitorët e huaj. Jo më larg se dy ditë më parë, gazeta prestigjoze angleze The Telegraph e listoi Tiranën si një nga qytetet që s’duhet lënë pa vizituar. Kjo na bën krenarë për Tiranën, e cila tashmë është rikthyer në punë me kohë të plotë.

Photo-Erion-Veliaj

– Cili është modeli që po ndiqet nga ju për ndryshimet urbanistike që Tirana po pëson?

-Fundvitin e kaluar miratuam Planin e Përgjithshëm Vendor, i cili do t’i japë formë Tiranës së 15 viteve të ardhshme dhe e projekton atë si një hapësirë europiane. Pra, është vizioni ynë për Tiranën 2030, një punë e bërë në mënyrë të shkëlqyer nga arkitekti i mirënjohur Italian, Stefano Boeri. Gjithashtu, ky është ndoshta plani urbanistik më i diskutuar në publik e më transparent, duke qenë se zhvilluar 3 dëgjesa formale me ekspertë e urbanistë dhe 24 dëgjesa me komunitetin.

Ai ka 5 shtylla kryesore konceptuale: së pari, e trajton densitetin e qytetit në funksion të rritjes së efikasitetit të infrastrukturës, diversitetit të shërbimeve dhe ndryshimit të qasjes ndaj lëvizshmërisë në qytet. Qendra dhe poliqendrat do të ndërlidhen me korsi të dedikuara biçikletash dhe transporti publik, me qëllim minimizimin e lëvizjes me automjete personale brenda qytetit. Së dyti, plani parashikon një revolucion në lëvizshmëri në Tiranë, ndërtimin e dy unazave të reja, që kanë në fokus kryesor transportin publik dhe transportin alternativ, biçikletat, motorët dhe këmbësorinë, por që funksionojnë njëkohësisht si parqe lineare në funksion të qytetit. Po ashtu, ka në fokus rizhvillimin dhe rigjenerimine qytetit, ruajtjen e territorit bujqësor dhe natyror, duke vijuar me zhvillimin ekonomik, turistik dhe bujqësor të periferisë.

Një nga projektet më të rëndësishme është zona e lirë ekonomike përgjatë aksit Tiranë-Durrës, aks i cili mund të zhvillohet lehtësisht në funksion të ekonomisë së manifakturës, industrisë së lehtë dhe shërbimeve. Por, PPV (Plani i Përgjithshëm Vendor) parashikon në total 13 projekte strategjike, që përbëjnë dhe komponentin strukturor të planit, mes të cilëve Pylli Orbital.

– Sa ka ndyshuar jeta kulturore dhe artistike gjatë mandatit tuaj nga organizimet e bëra nga bashkia?

-Shumë! Jam krenar për çfarë kemi bërë në kaq pak muaj me rigjallërimin e jetës kulturore dhe artistike në Tiranë. Dua t’ju kujtoj se kemi organizuar 4 koncerte të mëdha me artistë të mëdhenj si John Newman, Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Giusy Ferreri. Teatri Metropol ka rimarrë peshën që i takon, duke vënë në skenë një sërë veprash të reja për publikun. Po organizojmë për vitin e dytë radhazi “Tirana Art Fest”, një konkurs që zbulon talentet e reja në gjimnazet e Tiranës. Instalacioni Reja u shndërrua shumë shpejt në një pikë turistike për qytetin tonë, e ndoshta sot është vendi më i fotografuar në Tiranë. Kurse, në janar prezantuam Kryebashkiakun e Natës, njeriu që kujdeset për aktivitetet që ndodhin natën në Tiranë. Unë besoj se jeta e natës është po aq e rëndësishme për një kryeqytet si Tirana sepse jeta kulturore e argëtimi s’duhet të jenë vetëm monopol i orëve të ditës.

 

– Cilat janë planet tuaja përsa i përket ndërtimeve të reja apo rikonstruksioneve, do të ketë ndryshime të mëtejshme në Tiranë?

-Imazhi i qytetit po ndryshon. Besoj e keni parë se Tiranës po i shtohen ngjyrat. E kemi rikthyer idenë e vjetër të ish kryebashkiakut Edi Rama për të ngjyrosur fasadat e pallateve. Impakti që prania e ngjyrave në komunitet është i jashtëzakonshëm. Shumë prej banesave në zonën e Zogut të Zi, tek Shallvaret, në rrugën e Durrësit, u është rritur çmimi prej faktit se nga jashtë pallati duket më tërheqës, më i pastër dhe më estetik. Jo më kot kemi nisur që disa nga pallatet t’i mbushim me street art.

Sa i takon ndërtimeve, zona e Bulevardit të Ri është pjesa ku qyteti i Tiranës pritet të njohë një zhvillim të ri. Po ashtu, ne duam të inkurajojmë rindërtimin dhe rizhvillimin e shtëpive dhe banesave që sot janë në gjendje të rrënuar, e që shpesh përbëjnë rrezikshmëri për banorët e tyre.

 

– A ia ka lehtësuar apo vështirësuar jetesën e qytetarëve punimet që po kryhen në Tiranë?

Përkundrazi, puna vetëm e thjeshton jetesën e qytetarëve, e bën përmirëson atë. Sigurisht, për një kohë të shkurtër, një pakicë e vogël mund të mërzitet, ta zëmë për trafikun e rënduar në një rrugë ku ujësjellësi po ndryshon tubat e gizës që s’ishin ndryshuar prej 30 vitesh, por ama banorët e asaj zone pas këtij investimi kanë më shumë ujë të pijshëm.

Bashkia e Tiranës ka hapur afro 150 kantiere pune dhe në fushatë premtuam një bashki që punon me 3 turne. Po bëjmë ekzaktësisht këtë! Qytetarët janë më të kënaqur tani që Tirana është kthyer në punë dhe po ecën me marshin e pestë.

Intervistoi Alba Çobaj – Urbanus.al