Aktualitet Tregtimi i bombolave të oksigjenit për trajtimin e COVID në shtëpi, Prokuroria...

Tregtimi i bombolave të oksigjenit për trajtimin e COVID në shtëpi, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për shitjet online, të bombolave të oksigjenit.

Mosparaqitja e të infektuarave me koronavirus në spitale për t’u kuruar, dhe marrja e mjekimit në kushte shtëpie, ka detyruar institucionin e akuzës të verifikojë të gjitha faqet online ku shiten aparatura oksigjeni, pasi pjesa më e madha e tyre dyshohet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtëligjshme dhe se bombolat e oksigjenit janë çdo lloj standardi për kurimin e të sëmurëve.

Çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion 500-800 euro. Por, ata jepen edhe me qira ditore, vlera e të cilëve shkon 100-120 euro.

Indicien e parë për nisjen e hetimeve të aparaturave të oksigjenit që shiten online, institucioni i akuzës e mori tri javë më parë, pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët për babanë e tyre të infektuar me virusin e rrezikshëm fillimisht përdorën aparatura oksigjeni që kishin blerë në Facebook.

Ata, në kallëzimin e tyre, shprehen se babanë e çuan në spital 4 ditë para se ai të ndërronte jetë. Gjithashtu, prokuroria është duke hetuar edhe rastin e së dielës, ku një të moshuari i shpërtheu bombola e oksigjenit, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda. Mësohet se në këtë banesë u gjetën edhe dy bombola të tjera oksigjeni, të cilat dyshohet se janë blerë nga familjarët e tij në mënyrë private.

Nisur nga situata e rëndë që po kalon vendi ditët e fundit, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19, ata që po përfitojnë nga kjo situatë janë faqet online që shesin bombula apo aparatura oksigjeni

Kujtojmë se disa ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastarliu, në një deklaratë për mediat u bëri apel qytetarëve që mos të binin pre e abuzimeve për sa i përket marrjes së trajtimit ambulator në shtëpi, pasi oksigjeni nuk mund të përdorej në kushte shtëpie pa asistencën e nevojshme.